Pas takimeve në Bruksel të enjten, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka theksuar se Kosova dhe Serbia nuk kanë treguar gatishmëri për t’u pajtuar me propozimin e ri evropiano-amerikan për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili iu prezantua palëve.
Borrell ka thënë se palët i kanë vendosur parakushte njëra-tjetrës, gjë e cila, sipas tij, e bën procesin e normalizimit të raporteve shumë të vështirë.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar se vetëm përmes dialogut është e mundur të arrihet normalizmi dhe se BE-ja insiston në nevojën për normalizim të raporteve.
“Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane”, ka deklaruar ai për uebfaqen e BE-së.
Ai ka thënë se mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës është një pengesë e madhe në rrugën drejt normalizimit.
Borrelli ka bërë thirrje që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, duke theksuar se kjo mund të ndodhë vetëm përbrenda kornizës së dialogut.
Ai ka insistuar se dialogu është e vetmja rrugë për të përparuar në rrugën evropiane dhe për të shmangur ngritjen e reja të dhunës.
“Është një pengesë të madhe e që është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë Asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”, ka thënë ai.
Qeveria e Kosovës ka dalë me njoftim pas takimit të kryeministrit Kurti dhe liderëve evropianë në Bruksel dhe takimin e fundit me emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçak.
Në njoftim thuhet se Kurti ka ritheksuar edhe një herë se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen bazike për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe po ashtu atë për Asociacionin apo siç thuhet në njoftim “draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.
Një gjë të tillë, sipas Qeverisë së Kosovës, e ka refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka kërkuar që “që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023”
Në fund të takimit, sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha “Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”.
Ndërsa, presidenti serb Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet, por sipas tij, nuk mund ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.