Borrell pas Samitit në Berlin: Vendet e Ballkanit të jenë të qëndrueshme

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.





Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, vlerëson se Procesi i Berlinit është një demonstrim i qartë i angazhimit dhe partneritetit të fortë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se tri marrëveshjet e nënshkruara nën Tregun e Përbashkët Rajonal, janë kyçe për qëndrueshmërinë ekonomike.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të qëndrueshme, nuk duhet të ketë hapësirë për të ndërhyrë në rajon. Është momenti për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”, ka shkruar Borrell në Twitter.

“Po përgatisim mbështetjen për BB-të për të luftuar kërcënimet hibride, mbështetja kibernetike e BE-së në mbarë rajonin, mbrojtja kibernetike dhe lufta kundër dezinformimit 3 marrëveshjet e nënshkruara nën Tregun e Përbashkët Rajonal janë thelbësore për qëndrueshmërinë ekonomike”, ka shkruar Borrell.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja po intensifikohet. Shpresoj për progres edhe këtë vit”.

“Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale”.

Këto janë tri marrëveshjet që janë nënshkruar nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Berlin.

Samiti i Berlinit

Ndërsa heqja e regjimit të vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës pritet të bëhet përmes vendimeve të tjera bilaterale.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në fjalimin e tij në Samitin e Berlinit ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë përkushtuar të punojnë së bashku për të arritur qëllimet dhe synimet në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe jo vetëm.

Scholz në këtë samit ka thënë se procesi i normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet dhe se mund të llogarisin në Procesin e Berlinit për mbështetje.

“Zotimet që po i bëjmë sot janë me urgjencë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, mund të llogarisin në këtë proces që do t’i mbështesë”, ka deklaruar Scholz.

Ky samit përndryshe është konsideruar si lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit që vendet si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Qëllimet kryesore të këtij procesi janë, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa, shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.





Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika