Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka takuar gjashtë presidentët e Ballkanit Perëndimor në New York, ku është duke u mbajtur sesioni i 78-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryediplomati, teksa i quajti anëtarë të ardhshëm të BE-së, shtoi se janë duke u përgatitur për valën e re të zgjerimit të bllokut.
“Takimi tradicional me gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e ardhshëm të BE-së. Ne diskutuam sfidat aktuale globale, përafrimin, punën e përbashkët në forume shumëpalëshe dhe reformat. Duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit, ne duam ta bëjmë realitet progresin në integrim, ka shkruar Borrell në rrjetin social X.
Traditional meeting with our six Western Balkan partners, the future members of the EU
We discussed current global challenges, alignment, working jointly in multilateral fora, and reforms
Preparing for the next enlargement wave, we want to make progressive integration a reality pic.twitter.com/01OP5BDfpX
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) September 20, 2023
Në këtë sesion është duke marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është takuar me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell.
Mbrëmë, e para e vendit i ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta përshpejtojë procesin për ta bërë Kosovën me status të vendit kandidat për anëtarësim në këtë bllok.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok në dhjetor të vitit të kaluar.