Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka thënë se ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, ishte një ndërmjetës i shkëlqyer i cili jetën ia kushtoi konflikteve në mbarë botën.
Martti Ahtisaari, ka vdekur në moshën 86-vjeçare në Helsinki, njoftoi Presidenca finlandeze.
“Paqja është çështje vullneti. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen. Nuk ka asnjë justifikim për t’i lejuar ata të bëhen të përjetshëm.”
“Martti Ahtisaari ishte një ndërmjetës i shkëlqyer, i cili ia kushtoi jetën zgjidhjes së konflikteve në mbarë botën. Mençuria e tij do të mungojë, në kohët që përballemi sot”, shkroi Borrell në Twitter.
Ahtisaari ka qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës. Mbi planin që ai hartoi, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Ai u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe më 2008 për shkak të kontributit të tij për dhënien fund të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore.
Ahtisaari kishte refuzuar të pranonte se luftërat dhe konfliktet ishin të pashmangshme.
“Paqja është çështje e vullnetit. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen dhe nuk ka asnjë justifikim që t’i lejojmë që ato të bëhen të përjetshme”, kishte deklaruar Ahtisaari gjatë pranimit të Nobelit më 2008.
Ahtisaari ishte tërhequr nga jeta publike dhe politike më 2021, pasi u diagnostikua me sëmundjen e Allzajmerit.
Ai ishte president i Finlandës nga viti 1994 deri më 2000.