Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian(BE) kanë rënë dakord në Pragë në një takim jozyrtar se përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të parandalohen dhe se për stabilitetin e Evropës, rajoni duhet të ketë një perspektivë evropiane, raporton kp.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka thënë se duhet të ofrohet një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor, që të zgjidhen krizat në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe të mos ketë ndërhyrje të Rusisë në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës.
“Ne jemi duke bashkëpunuar në Bosnjë-Hercegovinë, ku operacioni ALTHEA luan një rol kyç për stabilitetin. Ne duhet t’i ofrojmë një perspektivë evropiane Ballkanit Perëndimor. Ne duam të ndihmojmë në zgjidhjen e krizave në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Vërejmë përpjekje nga jashtë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë Borrell në një konferencë për media gjatë takimit.
Ballkani Perëndimor dhe Afrika ishin në agjendën e takimit të ministrave të mbrojtjes kur diskutuan pasojat globale të pushtimit rus të Ukrainës me pikat e reja të krizës në mbarë botën si rajone që Rusia po përpiqet t’i destabilizojë.