Bosnja nuk po i heton pretendimet se Radoiçiq ka siguruar armë nga Tuzlla

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës nuk ka nisur ndonjë hetim në lidhje me pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit se Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzla, arsenal që është përdorur në një sulm terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator

Milan Radojçiq

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës nuk ka iniciuar ndonjë hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzlla – arsenal që më 24 shtator është përdorur në një sulm kundër policisë së Kosovës në Banjskë.

Në atë sulm ka mbetur i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

“Në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kemi marrë asnjë raport nga organet policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët; nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e ndonjë hetimi”, tha Boris Grubeshiq, zëdhënës i Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës, për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka bërë të ditur se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari i këtij viti deri më 24 shtator.

Prokuroria e Beogradit ka saktësuar se armët i janë dorëzuar atij në territorin e Beogradit, “më së shpeshti në rrugën Bubanj Potok – Vërçin”, në juglindje të kryeqytetit të Serbisë.

Në deklaratë është thënë se armët, më pas, i ka transportuar dhe fshehur në objekte të braktisura dhe pyje në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, i hodhi poshtë akuzat nga Serbia.

“Gjatë të gjitha kontrolleve, operative dhe inteligjente, lidhur me ato pretendime, është konstatuar se të gjitha janë të pavërteta”, tha Isak për Radion Evropa e Lirë.

Përveç policisë së këtij entiteti, në hetime kanë marrë pjesë edhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), ndërsa autoritetet në Bosnje kanë kërkuar edhe ndihmën e agjencisë ndërkombëtare të policisë, Interpol.

Prokuroria e Beogradit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka prova se armët janë siguruar me të vërtetë nga Tuzlla dhe kush e ka ndihmuar Radoiçiqin në transport.

REL-i nuk mori përgjigje as në pyetjen nëse autoriteteve në Bosnje dhe Hercegovinë u është kërkuar t’i verifikonin pretendimet se armët janë siguruar nga Tuzlla.

Pas sulmit në Banjskë të komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës ka ekspozuar një arsenal të madh armësh të konfiskuar.

Mes tjerash ka pasur raketahedhës, granatahedhës, pushkë automatike, snajperë, automjete ushtarake, eksplozivë dhe detonatorë, mina kundër tankeve dhe kundër personelit e të ngjashme.

Shumica e armëve kanë qenë të prodhuara në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.

Institucionet në Kosovë dhe Serbi janë duke zhvilluar hetime të ndara për këtë rast.

Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për incidentin në Banjskë, ndërsa Beogradi zyrtar e mohon përfshirjen.

Përmes një letre publike më 29 shtator, Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të Listës Serbe dhe ka pranuar se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.

Ai e ka mohuar përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë, si dhe ka mohuar fajësinë për veprat me të cilat e ka ngarkuar Prokuroria e Beogradit, përkatësisht për sigurimin e paligjshëm të armëve nga Bosnje dhe Hercegovina.

Më 4 tetor, pas seancës gjyqësore, Radoiçiq është liruar dhe i janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika