Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parashikon që në vitin 2023 rritja ekonomike në vend të shkojë 3 deri në 4 për qind (3-4%).
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në konferencën e fundvitit me gazetarë e cila u mbajt të enjten e 22 dhjetorit ka thënë se parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë të ngjashme me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Ekonomia e Kosovës filloi në vitin 2022 me perspektivë të mirë si rezultat i vitit të suksesshëm 2021. U karakterizua me rritje 10.75 për qind. Gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikeve globale, e pasojat e luftës, u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normës së interesit, dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore. Sipas vlerësimit të BQK-së këtë vit parashikimet tona janë që rritja ekonomike në vend të sillet 3 deri 4 për qind. Ngjashëm me parashikimet që jep FMN”, ka thënë Mehmeti.
Ndërkaq, për vitin 2022 ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës ka arritur të tejkalojë sfidat e rreziqet të cilat kanë ardhur nga pandemia COVID-19 dhe nga lufta në Ukrainë.
“Përmes raportimit të drejtë nga ana juaj ne kemi arritur të mbajmë të informuar publikun. Me gjithë vështirësitë që jemi përballuar unë jam i lumtur që BQK ka arritur që të tejkalojë sfidat e rreziqet që u shkaktuan nga pandemia dhe tash nga agresioni rus në Ukrainë. Gjatë 2022 ndryshimi i dinamikave globale u shoqërua me rritje të inflacionit”, ka thënë tutje Mehmeti.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë deri në shtator të vitit 2022 ishin më shumë se 1.48 miliardë euro dhe ka shtuar se ka pasur rritje nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit 2021.
“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë eurosh, e cila paraqet një rritje prej 26.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë Mehmeti.
Mehemti njashtu foli edhe për remitencat që përbëjnë një komponentë të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës.
Sipas guvernatorit Mehmeti, remitencat në vitin 2022 arritën vlerën prej më shumë se 1 miliardë euro duke thënë se kishte rritje prej 5.5 për qind.