Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, ka thënë se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri.
Cleverly, gjatë një takimi me Kurtin në Londër më 26 qershor, theksoi se në mesin e hapave që duhet ekzekutivi kosovar të ndërmarrë janë, sigurimi që kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të mund të punojnë nga lokacione alternative, të tërhiqen njësitë speciale policore nga ndërtesat komunale dhe të ndërmerren hapa për zgjedhje të reja dhe gjithëpërfshirëse.
“Britania e Madhe ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2018, dhe mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe multietnik në një rajon stabil dhe prosperues. Ia bëra të qartë kryeministrit Kurti se vazhdimi i tensioneve vë në rrezik të arriturat në Kosovë, që janë arritur gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Cleverly pas takimit me Kurtin.
Në njoftimin e Qeverisë britanike, në takim zyrtari i lartë britanik ka theksuar se Kosova dhe Serbia janë përgjegjëse që të veprojnë tani për të shtensionuar situatën dhe për të shmangur çdo veprim të mëtejmë apo retorikë nxitëse.
Sekretari i Jashtëm britanik po ashtu mirëpriti lirimin e tre policëve të Kosovës, që po mbaheshin në paraburgim në Serbi, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv përpara.