Një shtetas britaniko-iranian është ekzekutuar në Iran pasi akuzohet për spiunazh për Britaninë e Madhe.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka thënë se ishte “i tmerruar” nga ekzekutimi i Alireza Akbarit, duke thënë: “Ky ishte një akt i pashpirt dhe frikacak, i kryer nga një regjim barbar pa respekt për të drejtat e njeriut të popullit të tij.
“Mendimet e mia janë me miqtë dhe familjen e Alirezës”, ka shtuar ai.
Ndërsa, Sekretari i Jashtëm i MB-së, James Cleverly ka thënë se Irani ka ekzekutuar një shtetas britanik, dhe sipas tij, ky akt barbar “meriton dënim në termat më të ashpër të mundshëm”.
“Kjo nuk do të qëndrojë e pakundërshtueshme”, ka shtuar Cleverly.
Qeveria sanksionoi gjithashtu prokurorin e përgjithshëm të Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, i cili ka thënë se ishte një nga figurat më të fuqishme në gjyqësorin iranian dhe ishte përgjegjës për procesin e gjykimit dhe përdorimin e dënimit me vdekje.
“Prokurori i Përgjithshëm është në qendër të përdorimit barbar të dënimit me vdekje nga Irani për qëllime politike”, ka thënë Cleverly.
“Sanksionimi i tij sot nënvizon neverinë tonë ndaj ekzekutimit të Alireza Akbarit dhe angazhimin tonë për të kërkuar llogari nga regjimi për shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut”, ka thënë tutje ai.
Sanksionet vendosin një ngrirje të aseteve dhe ndalim të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar për Montazeri.
Gjyqësori iranian pretendoi se Akbari, i cili ishte zëvendësministër i mbrojtjes nën ish-presidentin Mohammad Khatami deri në vitin 2001, ishte një “spiun kyç” për qeverinë britanike, raporton Sky News.
Ai ka thënë se inteligjenca iraniane demaskoi spiunin e supozuar të MI6 duke i dhënë informacion të rremë dhe e përshkroi atë si “një nga infiltruesit më të rëndësishëm të qendrave të ndjeshme dhe strategjike të vendit”.
‘I droguar dhe i torturuar’
Akbari kishte pretenduar se ishte torturuar dhe marrë droga që ndryshonin mendjen dhe e detyruan të rrëfejë krimet që nuk i ka kryer.
Agjencia iraniane e lajmeve Mizan, e lidhur me gjyqësorin e vendit, ka postuar në Twitter se Akbari ishte varur. Nuk ka thënë se kur dhe ku ndodhi, mes thashethemeve se ai ishte ekzekutuar disa ditë më parë.
‘Ekzekutim i motivuar politikisht’
Të premten, zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Vedant Patel ka thënë se “Akuzat kundër Alireza Akbarit dhe dënimi i tij me ekzekutim ishin të motivuara politikisht. Ekzekutimi i tij do të ishte i pandërgjegjshëm”.