Miliona njerëz në të gjithë Britaninë e Madhe do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të së enjtes, ndërsa kryeministri Rishi Sunak lufton për ta mbajtur liderin e opozitës Sir Keir Starmer jashtë zyrës së kryeministrit.
Konservatorët e Sunak dhe Partia Laburiste e Sir Keir kanë kaluar ditët e fundit të fushatës duke përforcuar mesazhet e tyre kryesore, në një përpjekje për të fituar, me votuesit që shihen si të pavendosur.
Përballë sondazheve që tregojnë një epërsi të konsiderueshme për laburistët, konservatorët po kërkojnë nga votuesit që të mos lejojnë rivalët e tyre të marrin një shumicë. Ata gjithashtu përballen me një kërcënim nga partia e krahut të djathtë “Reforma” në Mbretërinë e Bashkuar, të nxitur nga kthimi në politikën e vijës së parë të Nigel Farage, raporton BBC.
Por pas katër humbjeve radhazi në zgjedhje dhe 14 vjetëve në opozitë, partia e Sir Keir nuk merr asgjë si të mirëqenë.
Si do të funksionojnë zgjedhjet?
Njerëzit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar do të zgjedhin të 650 anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit, një për çdo zonë zgjedhore lokale. Nuk ka zgjedhje paraprake apo balotazh, vetëm një rund votimi më 4 korrik. Britania përdor një sistem votimi “first past the post”, që do të thotë se kandidati që përfundon në krye në çdo zonë zgjedhore do të zgjidhet, edhe nëse nuk merr 50% të votave. Kjo në përgjithësi ka çimentuar dominimin e dy partive më të mëdha, konservatorëve dhe laburistëve, sepse është e vështirë për partitë më të vogla të fitojnë vende nëse nuk e kanë të përqendruar mbështetjen në fusha të veçanta.
Si zgjidhet kryeministri?
Partia që fiton shumicën në Dhomën e Ulët, qoftë e vetme ose me mbështetjen e një partie tjetër, do të formojë qeverinë e ardhshme dhe lideri i saj do të jetë kryeministër. Kjo do të thotë se rezultatet do të përcaktojnë drejtimin politik të qeverisë, e cila është udhëhequr nga konservatorët e qendrës së djathtë për 14 vjetët e fundit. Në këto zgjedhje Partia Laburiste e qendrës së majtë shihet gjerësisht të jetë në pozitë më të fortë.
Pse po mbahen zgjedhjet?
Sunak i habiti ekspertët dhe shumicën e ligjvënësve të tij gjashtë javë më parë kur caktoi zgjedhjet për 4 korrik, të paktën tre muaj më herët sesa pritej. Derisa shumica e vëzhguesve mendonin se zgjedhjet do të mbaheshin në vjeshtë, Sunak vendosi për më herët, duke shpresuar se lajmet pozitive nga fusha e ekonomisë do ta ndihmonin t’i bindte votuesit se politikat konservatore kishin filluar të funksiononin. Vendimi ishte aq befasues sepse mandati parlamentar ishte planifikuar të përfundonte në mes të dhjetorit. Zgjedhjet në Britani të Madhe është e përcaktuar të mbahen çdo pesë vjet, por kryeministri mund t’i shpallë ato sa herë që është më e favorshme politikisht.