Britania ka njoftuar të premten se nuk do t’i vazhdojë përpjekjet për ta vënë në pikëpyetje juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), me seli në Hagë, për të lëshuar urdhërarrest për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Ndërsa, në maj prokurori i ICC-së ka deklaruar se ai kishte kërkuar urdhërarrest për Netanyahun, Gallant dhe tre udhëheqës të Hamasit për krime të dyshuara lufte, kështu ka raportuar Reuters.
Dokumentet e gjykatës të bëra publike në qershor treguan se Britania, një vend anëtar i ICC-së, kishte paraqitur një kërkesë në gjykatë për të ofruar vëzhgime me shkrim nëse “gjykata mund të ushtrojë juridiksion mbi shtetasit izraelitë, në rrethana kur Palestina nuk mund të ushtrojë juridiksion penal mbi shtetasit izraelitë (nën ) Marrëveshjet e Oslos”.
Nga ajo kohë, Britania ka zgjedhur qeveri të re, e cila udhëhiqet nga Partia Laburiste dhe kryeministri Keir Starmer.
Qeveria e mëparshme nën Sunak ka thënë se veprimi i gjykatës “nuk ishte i dobishëm në lidhje me arritjen e një pauze në luftime, nxjerrjen e pengjeve ose marrjen e ndihmës humanitare”.
Por ajo nuk kishte hyrë në një sfidë formale ndaj gjykatës përpara se të shpalleshin zgjedhjet e përgjithshme, duke lënë një pikëpyetje mbi statusin e çështjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Gjykata fillimisht i ka dhënë qeverisë deri më 12 korrik për të paraqitur sfidën e saj ligjore, e cila më pas u zgjat deri në 26 korrik – për të cilën qeveria e re ka zgjedhur të mos veprojë.
Vendimi i gjykatës, të cilin presidenti amerikan, Joe Biden, e ka denoncuar si “të egër” – krijon një dilemë për qeverinë e re.
Mbretëria e Bashkuar do të pritej të zbatonte urdhrat e saj për të ekzekutuar urdhërarrestin nëse Netanyahu do të vizitonte MB.
Megjithatë, ka pasur raste të shteteve anëtare që kanë aplikuar për një përjashtim për të kryer një urdhërarrest.
Sanksioni për një shtet që nuk zbaton një urdhërarrestin është referimi në asamblenë e shteteve anëtare të GJNP-së dhe përfundimisht referim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Gjykata vetë nuk ka mjete për të zbatuar një arrestim.