BSPK: Grevat po zhvillohen pa probleme, shqetësues mbetet mosreflektimi i Qeverisë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), pas zhvillimeve të fundit që lidhen me grevat, ka njoftuar se deri më tani greva ka shkuar mirë

Ilustrim

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka njoftuar se greva e përgjithshme e cila ka nisur të zbatohet që nga 25 gushti, është duke u zhvilluar pa probleme.

Ajo që mbetet shqetësuese për BSPK-në, është “mosreflektimi” i Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesat sindikale.

“Greva e përgjithshme në nivel vendi është duke u zhvilluar mirë dhe pa probleme e plotësisht sipas rregullave dhe normave ligjore. Ajo që e shqetëson BSPK-në është mosreflektimi i Partnerit tonë Social – Qeverisë përkitazi me kërkesat e arsyeshme sindikale”, thuhet në njoftim.

Sipas BSPK-së, Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe t’iu bëjë thirrje sindikatave që të ulen në tavolinën e bisedimeve sa më parë që është e mundur.

“Partneri ynë Social – Qeveria duhet që të punësuarve të saj t’ua dëgjojë hallet dhe të merret seriozisht me shqetësimet e tyre”, vijon njoftimi.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme nga 25 gushti, për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk kanë arritur të dakordohen me zyrtarët e institucioneve, për ta anuluar grevën e paralajmëruar ditë më parë.

Paralajmërimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), i ka quajtur të paarsyeshme, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka premtuar se punëtorët e arsimit do të kenë paga të dinjitetshme në raport me performancën e tyre.

Për këtë arsye, sipas Nagavcit, është e papranueshme që procesi mësimor të mos fillojë me kohë.

“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Nagavci ka thënë se me projektligjin e ri për paga, rangimi i punëtorëve të arsimit është bërë edhe më mirë sesa ka kërkuar SBAShK-u.

“Jam shumë e bindur në përkushtimin e mësimdhënësve dhe përgjegjësinë që të njëjtit ndjejnë ndaj nxënësve. Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar, me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”, ka vijuar Nagavci.

Ajo ka theksuar se Qeveria e Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të kaluara, teksa shtoi se nuk do të lejohet as zhvatja e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bie ndesh me ligjin.

Ministrja e këtij dikasteri ka reaguar edhe në lidhje me padinë që rreth 26 komuna të vendit kanë dorëzuar ndaj ministrisë së arsimit dhe asaj të shëndetësisë.

“Kryetarët e komunave, të cilët kanë paraqitur padi janë pjesë e partive politike që kanë qenë në pushtet kur janë nënshkruar këto kontrata dhe nuk kanë planifikuar asnjëherë buxhet”, ka thënë Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit.

Ajo ka folur lidhur me padinë që Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka bërë ndaj MASHTI-t për shkak të kontratës kolektive.

Nagavci ka thënë se asnjëherë kontratat kolektive nuk i janë nënshtruar vlerësimit financiar.

“Asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka akuzuar dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, se po ia bën avokatin e komunave në përgatitjen e padive dhe po ngrit çështje të shumta në pengim të punës së institucioneve.

Paralajmërimet për greva nga sindikatat e Kosovës, nuk po i pëlqejnë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Këto paralajmërime të sindikatave, kryeministri Kurti i ka cilësuar si kërcënime, të cilat sipas tij, nuk janë të nevojshme.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse…”, ka deklaruar Kurti, raporton KP.

Kryeministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës është pro dialogut social me sindikatat, por sipas tij, pa kërcënime e ultimatume.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika