Nga 100 euro në muaj, deri sa të miratohet ligji i pagave, ka kërkuar Bashkimi Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga Qeveria e Kosovës.
Në njoftimin e tyre thuhet se ata kërkojnë fillimin e zbatimit të ligjit për sigurimin shëndetësor, plotësim-ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti e kështu me radhë.
Në takimin e kryesisë së BSPK-së, që është mbajtur të mërkurën, janë diskutuar ngjarjet që kanë ndodhur pas protestës së 8 prillit, me anë të së cilës kishin kërkuar miratimin e ligjit të pagave.
“U bisedua për kërkesat tashmë të njohura e të paraqitura edhe në protestën e 8 prillit 2022 për vazhdimin e pagesës prej 100€ për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së, Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor”, thuhet në njoftim.
Tutje, BSPK-ja, ka njoftuar se ka filluar dialogu me kryeministrin Albin Kurti, dhe se sipas tyre takimi i radhës do të thirret së shpejti për të tentuar të arrihet një marrëveshje.
“Në takimin e radhës i cili pritet që së shpejti të thirret nga Kryeministri, mori vendim që të i jepet mundësi dialogut duke tentuar që të arrihet marrëveshje me dialog duke prolonguar veprimeve sindikale deri në takimin e ardhshëm të Kryesisë Ekzekutive të BSPK që do të mbahet me datën 28 prill 2022 “, thuhet në njoftim.
Në protestën e 8 prillit, BSPK-ja i kishte parashtruar Qeverisë këto kërkesa:
- Rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës deri sa të përmbushen kërkesat e mëposhtme.
- Miratimi i Ligjit të Pagave.
- Rritja e rrogës minimale
- Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor
- Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale
- Të ndryshohet neni në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, sipas të cilit, kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 01.01.1999.