Politika gjermane është hipokrite; ndërsa shteteve të Ballkanit që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian i flet kundër korrupsionit, i mundëson Rusisë të depërtojë masivisht në ekonominë dhe sistemin e vet politik, ka thënë Janusz Bugajski.
Ombrella ushtarake e Amerikës i mundësoi Gjermanisë të fokusohej në zhvillimin ekonomik dhe të neglizhonte çdo përgjegjësi për sigurinë e Evropës.
Fundi i Luftës së Ftohtë u perceptua në mënyrë naive në Berlin si fundi i ndarjes dhe konfliktit, në mënyrë që biznesi dhe fitimet të mund të ndiqeshin me një Rusi gjoja demokratizuese, pavarësisht nga interesat apo vlerat evropiane.
Qeveritë gjermane njëra pas tjetrës e hapën vendin ndaj ndikimit të shtetit rus, i cili depërtoi në të gjitha partitë kryesore politike, institucionet kombëtare, bankat, bizneset dhe korporatat energjetike.
Hezitimi i Berlinit
Rezultatet e këtij korrupsioni masiv rus ishin të dukshme në projektet energjetike si gazsjellësi Nord Stream dhe pastrimi i miliarda parash të pista ruse përmes bankave gjermane.
Pasojat e depërtimit të Moskës në politikën e jashtme gjermane u bënë më të dukshme gjatë luftës së zgjatur të Rusisë kundër Ukrainës. Berlini hezitoi të dërgonte armë në Kiev, gjoja nga frika se kjo mund të “provokonte” Moskën dhe të “përshkallëzonte” konfliktin.
E vetmja parti që ka nxjerrë mësime praktike nga historia e nazizmit perandorak të Gjermanisë janë të Gjelbrit që deklarojnë se çdo regjim gjenocidal duhet të ndalet me forcë ushtarake sa më shpejt që të jetë e mundur.
Pas disa muajsh presioni nga populli dhe partnerët e NATO-s, Berlini, më në fund, ka filluar të furnizojë Kievin me sistemet shumë të nevojshme të mbrojtjes ajrore, raketahedhës të shumtë dhe hauicër (artileri) vetëlëvizës.
Berlini ka qenë gjithashtu hezitues në vendosjen e sanksioneve të ashpra ekonomike kundër Moskës duke u frikësuar nga ndikimi në sektorin e biznesit dhe ekonominë e vet, në vend që të marrë një nivel të lartë moral dhe strategjik.
Në konferencën e fundit të G7- në Berlin, mbajtur së fundmi për Ukrainën, nuk u shpreh asnjë premtim konkret për rindërtimin e pasluftës dhe, po ashtu, plan i ri Marshall që u propozua duket një perspektivë e largët, kryesisht për shkak të hezitimit gjerman. Uashingtoni beson se BE-ja duhet të marrë drejtimin ekonomik në ndihmë të Kievit, ashtu si ShBA-të që kanë marrë drejtimin ushtarak.
Ndihma e Gjermanisë ndaj Ukrainës, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), është e ulët në krahasim me atë të fqinjëve të saj lindorë dhe më të varfër. Polonia dhe Lituania i kanë premtuar Ukrainës gati gjysmën e një pikë përqindjeje të PBB-së së tyre, ndërsa Estonia dhe Letonia janë zotuar të japin thuajse një pikë përqindje. Krahasimisht, angazhimet e Berlinit kapin një 0.085 për qind të PBB-së.
Dështimet e Gjermanisë në Ukrainë pasqyrohen edhe në pamjaftueshmërinë e saj në Ballkanin Perëndimor.
forcimi i partive nacionaliste në Bosnje e Hercegovinë
Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar i Berlinit në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt, miratoi, së fundmi, reforma të diskutueshme në lidhje me vendet në Dhomën e Lartë të parlamentit të entitetit boshnjako-kroat, çfarë do të forcojë partitë nacionaliste, do të thellojë ndasitë etnike, do të inkurajojë separatizmin dhe ka të ngjarë të çojë në konflikte të armatosura.
(Mos)Marrëveshja Kosovë-Serbi
Berlini është gjithashtu në ballë të përpjekjeve të BE-së për të përmbyllur një marrëveshje të njohjes reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por në praktikë, ai nuk ka arritur ta bindë Beogradin se perspektivat e Serbisë në BE janë të rrezikuara, në rast se ai nuk e njeh Kosovën.
Në vend të kësaj, Berlini vijon të tolerojë politikat destabilizuese të qeverisë serbe pro-Kremlin të Aleksandër Vuqiçit, e cila synon të zhbëjë integritetin e Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Berlini gjithashtu nuk ka arritur të implementojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe mbështet nismën e Ballkanit të Hapur, i cili promovon hegjemoninë rajonale të Serbisë.
Plani aktual gjermano-francez për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është gjithashtu i paqartë dhe mbetet aspiratë, e pa mekanizmat zbatuese, ai ka pak shpresa për sukses.
Vuqiç pretendon se plani i hartuar nga këshilltarët e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron është i papranueshëm dhe bie ndesh me Kushtetutën e Serbisë, sepse rekomandon që Kosova të anëtarësohet në OKB me miratimin e Beogradit. Ai nuk u ndikua as nga premtimet se Serbia do të përfitonte ndihmë financiare dhe një rrugëtim të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE.
Sipas Berlinit, edhe ky plan është një tjetër “bazë për tu diskutuar” dhe jo një recetë për marrëveshje përfundimtare.
Por, nëse Berlini së bashku me partnerët e tij evropianë nuk vendos afate dhe nuk ka pasoja për refuzimin e një zgjidhjeje dypalëshe, plani do të kulmojë në një tjetër humbje strategjike të Gjermanisë.