Shukri Buja, ish-komandant në zonën e Nerodimes(Reçakut), ka thënë se në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999 kanë ardhur informacione të ndryshme dhe të paverifikuara, se janë marrë shumë civilë nga Reçaku dhe janë bartur me mjete policore.
“Një pjesë janë ardhur e kanë njoftuar se ka njerëz të vrarë brenda Reçakut, një pjesë tjetër na kanë njoftuar së ka njerëz të masakruar në Reçak”, ka thënë Buja.
Buja ka shtuar se më 15 janar ishte një angazhim ushtarak më ndryshe, duke shtuar se pozicionet e tyre mbrojtëse ishin mbi Reçak.
Buja ka thënë se Reçaku ishte një fshat mjaft i vështirë për t’u mbrojtur, ku ishte vetëm një vijë mes Çestës së Reçakut dhe Pishave të Shtimes që i ndanin UÇK-në nga forcat policore e ushtarake serbe.
Buja ka potencuar se banorëve të Çestës së Reçakut u kishin sugjeruar të largoheshin nga ai vend, sepse përbënte një rrezik më të madh për ta.
Ai ka treguar se pozicion i mirë për forcat serbe për t’i sulmuar civilët shqiptarë ishte edhe Kodra e Gështenjave, por këto operacione forcat serbe, sipas tij, i nisën në Grykën e Caralevës.
“Nga Gryka e Caralevës janë pozicionuar nga Balinca dhe Caraleva”, ka thënë tutje ai derisa potencoi se në Belincë ishte një fushë ku mund të depërtonin tanket, pa problem.
“Në mbrëmjen e 14 janarit deri më 15 janar forcat serbe kanë lëvizur nëpër Reçak me ndihmën e dikujt që e ka njohur mirë terrenin”.
Tutje, ai ka theksuar se forcat serbe kanë filluar të provokonin nga Çesta e Reçakut dhe kanë filluar goditjet e para, në mëngjesin e hershëm të 15 janarit.