Dëshmitari Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se ka pasur propagandë ndaj tij se kinse ka ikur nga lufta, ngjashëm tha se kishte propagandë edhe për zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.
Buja tha se kishte pritur që të merreshin masa ndaj atyre që po e përhapnin dhe përkrahnin këtë propagandë, e që njëri prej këtyre personave ishte edhe udhëheqës i njësitit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për një periudhë kam pritë që të veprohet, por nuk ka pas ndonjë veprim”, tha Buja. Shtoi se shqetësimin e tij ia ka thënë Jakup Krasniqit, me mendimin se ai do ia percjellë Shtabit të Përgjithshëm.
“Pas bisedës me Jakup Krasniqin, unë kam prit për disa ditë e që mund të jenë edhe javë që të merret ndonjë masë ndaj meje apo ndaj atyre që kishin hapur propagandë të tillë, por nuk është marrë ndonjë masë dhe diku nga mesi i gushtit me është thënë që të shkoj të rregulloj vijat furnizuese në nënzonën operative, në të cilën isha përcaktuar si komandant i nënzonës dhe të filloj të strukturoj Zonën Operative”, tha Buja.
Sipas tij, kjo detyrë i kishte ardhur kur e kishte njoftuar Jakup Krasniqin që po udhëtonte për në Shqipëri, e që ky i fundit pastaj i kishte thënë që ta rregullonte vijën e furnizimit me armë dhe strukturën.
“Aty nëse nuk gaboj ka qenë edhe Azem Syla që unë në periudhën e korrikut kam supozuar, ashtu edhe flitej që është komandant i përgjithshëm”, tha Buja, duke shtuar se rregullimi i vijës së furnizimit nuk ishte urdhër por sugjerim pasi që vetë dëshmitari ishte komandant i nënzonës.
Dëshmitari u pyet se a është takuar ndonjëherë në Kleçkë me Hashim Thaçin.
“Nëse nuk gabo jam takuar në korrik. Ka pas një takim me ndërkombëtarët nëse nuk gaboj dhe pas takimit me ndërkombëtarët nëse nuk gaboj, ne kemi shkuar për t’u takuar me popullatën civile në Grykë të Shalës”, tha Buja, i cili theksoi se nuk ka qenë personalisht në këtë takim.
Në këtë takimin me civilët, Buja tha se ishte Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi e që civilëve iu kishte folur ky i fundit pasi që ndaj tij ishte përhapur një propagandë e fuqishme se kinse ky i fundit kishte ikur nga lufta.
Dëshmitari u pyet për rolin e Sokol Bashotës gjatë verës së vitit 1998, e për të cilin tha se atë kohë nuk kishte njohuri.
Kurse i pyetur se a është takuar gjatë verës së ’98-ës me Azem Sylën, dëshmitarit nuk iu kujtua saktë muaji.
“Ka qenë muaji korrik nëse nuk gaboj por ka qenë realisht një periudhë e ofensivës shumë të ashpër nuk e di a ka qenë fundi i korrikut apo gushtit”, tha Buja.
“Mos më ndërprisni”, mbrojtja thotë se prokurori po bën pyetje sugjestive dhe duhet të mbështetet në njërin version të deklaratave të dëshmitarit
(Përditësuar, ora 12:02)- Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se pyetja e prokurorit James Pace ‘a keni mbajtë kontakte me Thaçin për njësitet në atë kohë’, është sugjestive, ashtu siç janë edhe disa pyetje të tjera.
Në një rast, Mishetiq kërkoi nga trupi gjykues që t’i kërkojë ZPS-së që të zgjedhë njërin version të deklaratave të dëshmitarit që ka dhënë në rastin Limaj, qoftë atë të 2003-ës apo atë të 2005-ës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ky aspekt ka qenë pjesë e parashtrimeve që ka bërë Alex Wihting në gjykimin ndaj Fatmir Limajt. E ka përdorur këtë si bazë për ta deklaruar Fatmir Limajn si armiqësor dhe ai ka thënë më 2003 se ka ai mbajtë kontakt me Shtabin e Përgjithshëm përmes Fatmir Limajt dhe me pas unë do të lexoj se çfarë ka thënë Alex Wihting”, tha Mishetiq.
Më pas ndërhyri prokurori Pace duke thënë se “kjo është e papërshtatshme dhe se avokati t’i bëjë pyetjet gjatë pyetjeve të veta. Nuk është ky momenti për të interpretuar dëshminë e dëshmitarit”.
Pas kësaj, Mishetiq iu kthye prokurorit duke i thënë se e vlerëson dhe se ‘mos ta ndërpres’, pasi sipas tij ai nuk ishte kundërshtimi i tij.
“E vlerësoj dhe ju lutem mos më ndërprisni. Nuk është ky kundërshtimi im. Prokuroria e ka për detyrë këtu të vendos se cila është e vërteta, cili është versioni i saktë. Zoti Pace duhet të thotë se cili prej këtyre dy versioneve të dëshmisë së dëshmitarit do të përdoret nga ZPS-ja. I 2003-ës që Alex Wihting ka thënë dëshmia e vërtetë? Apo dëshmia e 2005-ës së këtij dëshmitari është e vërtetë. Alex Wihting ka thënë; që ta deklarojmë këtë person armiqësor. Po ju lexoj një transkript të TPNJ-së. Pra, ai ka thënë: Ai qysh në fillim, të marsit 1998 ka thënë që plani ishte i përcaktuar përpara se të largoheshin do të mbërrinë në Drenicë dhe plani ishte të shkojmë të organizohemi në këtë zonë dhe struktura të jetë si në vijm; Fatmir Limaj do të jetë pika e kontaktit me Shtabin e Përgjithshëm. Ju do të koordinoheni me Fatmir Limajn dhe më pas ai me Shtabin e Përgjithshëm. Që ta shihni, intervista vijon edhe me poshtë; dhe pikërisht kështu u krijua struktura në muajt maj, prill të 1998-ës”, tha Mishetiq.
Mishetiq tha se përshkrimi i Bujës për Fatmir Limajn është krejt nga deklaratat e mëhershme.
“Dje përshkrimi i tij i Fatmir Limajt ka qenë krejt ndryshe. Edhe sot në faqe 83 ka thënë që nuk mund ta them me siguri se a ka pas ndonjë detyrë Fatmir Limaj në atë kohë. Unë nuk e di nëse mars ose në prill 1998 në Drenicë ka pas ndonjë detyrë Fatmir Limaj dhe tha se kur ka shkuar në Mullopoc, kontakti i tij i vetëm ka qenë që u pajtua me Fatmir Limajn që të kontaktonte me të por më shumë ta shoqëronte gjatë udhëtimit. Por, nëse do të donte të udhëtonte për ta takuar Thaçin, atëherë duhet të kontaktonte me Limajn që të tregonte rrugën për t’u takuar me Thaçin”, tha Mishetiq.
Ai tha se kundërshtimi i tij është se ZPS-ja e ka për detyrë që sipas rregullores të përcaktojë të vërtetën duke treguar edhe se si duhet ta formulojë pyetjen ZPS-ja.
“Kundërshtimi im është ky: Prokuroria e ka për detyrë ndaj trupit gjykues, sipas rregullores të përcaktojë të vërtetën. Mënyra se si është formuluar dhe pse them unë që kjo është sugjestive, është pikërisht pika kontestuese për mua. Prokuroria duhet ta pyes dëshmitarin se përmes cilit person kanë mbajtur kontakte me Shtabin e Përgjithshëm?! Por i thanë se a u kontaktuat ju me Thaçin. Dëshmitari nuk u përgjigj dhe ata i treguan një dëshmi të 2005-ës”, tha Mishetiq.
Avokati Mishetiq kërkoi nga trupi gjykues që t’i kërkojë Prokurorisë të dinë se a do të ndjekin versionin e 2003-ës të deklaratave të dëshmitarit apo atë të 2005-ës.
“Dua që t’i kërkoni Prokurorisë se a do të ndjekim versionin e 2003-ës apo të ndjekim atë 2005-ës”, tha Mishetiq.
Me pas, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, i tha avokatit se ai tha që pyetja është sugjestive, e që e rrëzoi këtë kundërshtim pasi nuk iu duk një konstatim i tillë që është i drejtë
“Nuk na dhatë asnjë shpjegim dhe tash jemi pas faktit. Unë nuk mund ta kundërshtoj Prokurorinë tani për këtë. Ju mund t’i bëni të gjitha pyetjet që dëshironi gjatë radhës tuaj të pyetjeve, por Prokuroria nuk merr udhëzim nga trupi gjykues për barrën e provës”, tha Smith.
Mishetiq theksoi se do të vazhdojë të kundërshtojë për faktin se Prokuroria duhet të përdorë një version përfundimtar për këtë dëshmitar, të dëshmisë së tij. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se Prokuroria është duke ndjekur dy pista.
“Prokurori apo ndjek dy pista sepse po përdorin edhe rregullën për të fajësuar dëshmitarin, por po përpiqen edhe të marrin të vërtetën nga dëshmitari”, tha Dixon.
Ai tha se si mbrojtja duhet të dijë se ku po mbështetët Prokuroria, në mënyrë që edhe ata t’i orientojnë pyetjet e veta.
Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se kur është takuar me Jakup Krasniqin gjatë verës së ’98-ës.
“Nuk e di saktë, por sigurisht ka qenë muaji qershor-korrik. (Vendi) Nuk më kujtohet se ku, por sigurisht në rrethinat e Kleçkës. Jam taku gjatë kohës që e ka dhënë intervistën e parë si zëdhënës i UÇK-së. Ka qenë konferencë për gazetarë dhe realisht jemi taku në atë kohë që të jemi krah tina”, tha Buja.
Buja u pyet se kush ua kërkoi që të merrnin pjesë në atë ngjarje që të jenë krah Jakup Krasniqit.
“Nuk më ka kërku askush, por kam qenë prezent se ka pas nevojë që dikush t’i rrin krah Jakup Krasniqit gjatë intervistimit dhe kemi nejt krah tij”, tha Buja.
Dëshmitari u pyet se gjatë kohës kur janë krijuar nënzonat, a ka pasur urdhra apo udhëzime për krijimin e brigadave.
“Krijimi i nënzonave dhe emërimi i komandantëve të nënzonave, janë dy çështje bukur të gjera sepse ne jemi emëru komandantë nënzonë, por për krijimin e nënzonave që nënkupton që nënzona të ketë disa brigada deri në divizion sipas strukturave ushtarake të sotme. Kërkon tepër shumë kohë. Madje, në disa shtete edhe kur s’ka luftë kërkon vite. Domethënë është fjala për një periudhë që ne jemi emëru komandantë të nënzonave dhe ne kemi filluar punën për të organizuar një komandë e cila ka qenë bukur shumë e kufizuar dhe në tetor diku ku ka kalu në organizimin e zonave- së paku në zonën time, kemi filluar edhe me krijimin e strukturave të komandave të brigadave”, tha Buja.
Lidhur me atë nëse në verën e ’98-ës kishte lëshuar Shtabi i Përgjithshëm ndonjë urdhër apo udhëzim që duhet të krijoheshin brigadat apo njësitë ushtarake, Buja tha se nga mesi i gushtit ka qenë në Kosovë, ndërsa pas kthimit të tij sërish në vend kishte ndodhur organizimi në tetor të ’98-ës.
Me këtë organizim, sipas dëshmitarit është marrë shefi i Shtabit, i cili ka qenë Bislim Zyrapi.
Ai tutje, u pyet se a është takuar me ndonjë nga anëtarët tjerë të Shtabit të Përgjithshëm gjatë verës së 98-ës. Dëshmitari tha se ka menduar që edhe Fatmir Limaj ka qenë anëtar i Shtabit në atë kohë, por që i ka dalë ndryshe.
Ai tha se përveç Krasniqit që ka dalë publikisht për të treguar për këtë çështje, për persona të tjerë vetëm se kanë mundur të supozojnë.
Buja: E kam marrë vesh më vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë me radhë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 103-të, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për Thaçin, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Buja tha se e kishte marrë vesh më vonë që është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për Hashim Thaçin e kam marrë vesh më vonë që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm. Më kujtohet që e kam kontaktuar (Thaçin në maj 1998), por se si e çfarë kemi biseduar është kohë shumë e gjatë”, tha Buja duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace.
Për çështjen ndaj Fatmir Limajt, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë që Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar me detyrën që të siguronte vijën e armatimeve, e që kjo kërkesë ishte përcjellë nga Thaçi.
“Realisht e tham më lartë se e kam marrë unë për detyrë, ndërsa në telefon që kam mujt të bisedoj e që nuk po më kujtohet, ka mujt me e konfirmu zoti Thaçi- në rregull është por që nuk ka qenë urdhër”, tha Buja.
“Nuk mund ta konfirmoj se është e saktë se rrethanat në të cilën e kam dhënë këtë dëshmi dhe realisht gjithmonë jemi thirrë në Shtabin e Përgjithshëm, por unë nuk e kam ditë në maj nëse është Hashim Thaçi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm apo jo”, shtoi ai.
Sërish prokurori Pace insistoi se pse dëshmitari në çështjen Limaj kishte thënë se këtë detyrë ua kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm dhe se ia kishte përcjellë Thaçi.
“Ne kemi supozuar se kush mund të jetë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe nuk e kemi ditë por e kemi supozu se mund të jetë Hashim Thaçi apo dikush tjetër. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë në aspektin e supozimit se ka mujt të jetë ai anëtar i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Buja.
Dëshmitari theksoi se nuk po i kujtohet saktë se kush ia ka përcjellë këtë detyrë, Thaçi apo vëllai i tij, Agush Buja. Tha se nuk i kujtohet kontakti me Thaçin lidhur me këtë çështje, por që në raste të ndryshme ai tha se ka kontaktuar përveç tij edhe me vëllanë e po ashtu edhe me Azem Sylën.
“Për momentin nuk është duke m’u kujtu por unë kam kontaktu edhe me vëllain, edhe me Hashim Thaçin kur ka qenë në Zvicër, edhe me Azem Sylën për të cilin në atë kohë kam supozu që është komandant i përgjithshëm”, tha Buja.
Ai tha se e njeh Hajrush Kurtajn dhe sipas tij ka qenë zëvendëskomandant i Brigadës 162, duke shtuar se nuk i kujtohet se kur e ka marrë këtë pozitë por që mendon se ka qenë fundi i ’98-ës.
Në librin e tij, Kurtaj kishte shkruar se me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Shukri Buja kthehet në Kaçanik për të komunikuar vendimin e Shtabit për emërimin e Agim Bajramit si komandant për njësitin e Kaçanikut.
“Kam shkuar (në Kaçanik) edhe për punë tjera por edhe për caktimin e Agim Bajramit si komandant i Njësitit. Kur e kemi emëru dikënd i kemi thënë që je emëru nga Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë që të kemi hapësirën që të mos keqinterpretohen këto vendime. Por, në fakt, Agim Bajramin e kam përcaktu si komandant të njësitit gueril atje dhe jam thirrë në emër të Shtabit të Përgjithshëm. E di që kam komuniku me Azem Sylën edhe në atë kohë nuk e kemi ditë që është komandant i Përgjithshëm, por unë në kthimin në Kaçanik realisht e kam thanë para njësitit apo 3-4 personave të njësitit- Agim Bajrami je i përcaktum nga Shtabi i Përgjithshëm për ta udhëheq njësitin. Nuk ka pas emërim me shkrim, nuk ka pas urdhër por ka qenë komunikim”, tha Buja.
Ky komunikim për emërimin e Agim Bajramit, sipas dëshmitarit mund të jetë në qershor apo korrik 1998.
Si rrjedhojë, libri i Kurtajt u pranua në prova materiale dhe u klasifikua si publik.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari është së bashku me avokatin kujdestar, që është Taulant Hodaj.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.