Në mars të vitit 1998, kur mijëra civilë shqiptarë të Kosovës të zhvendosur po përballeshin me urinë në kodrat e Drenicës, mijëra gra u nisën nga Prishtina për të thyer rrethimin, duke marshuar me bukë në krahë, duke përshkuar 40 kilometra rrugë deri në Drenicë.
Në RTV Dukagjini, Gjylshen Doko-Berisha ka rrëfyer se si në atë kohë e kanë nisur këtë protestë.
Ajo ka treguar se në atë kohë “Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës” ishte mekanizimi i vetëm i grave për të dërguar mesazhe tek opinioni ndërkombëtar se po ushtrohej dhunë në Kosovë.
“Unë e mbaj në mend atë protestë, vajtjen time në Prishtinë dhe të grave të tjera prej Gilani, por që si organizatore kam shku ma herët, të tjerat kanë ardhë në forma të ndryshme, me vetura private apo me autobus dhe nisjen tonë aty. Fillimi ka qenë, unë kam qenë përpara, fillimi ka qenë të shohim a do të kemi disa hapa, a do të kemi ndonjë pengesë. Kemi vazhdu prej zyrës amerikane, kemi vazhdu në rrugën kryesore, atëhere [kemi pasur] përcjellje normal. Ne gratë kemi marshuar, nuk kemi kërku ndihmë prej burrave por ata kanë ndejt anash, megjithatë për çdo rast. Dhe vërtetë kemi dashtë që të mbetet protestë unike”, ka deklaruar Doko-Berisha.
Ajo ka thënë se kur idealet janë për shtet edhe rreziku nuk shihet.
Nën thirrjen “Bukë për Drenicën”, gratë mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Stop gjenocidit” dhe “Ne jemi një komb në rrezik”.
Marshimi u përball jashtë Prishtinës, në Fushë Kosovë, me një mur të policisë serbe.
Një oficer policie u dha atyre 15 minuta kohë për t’u kthyer mbrapa, por pamjet fiksuan një nga organizatoret e Forumit të Grave të LDK-së, Edita Tahirin, duke i lutur të bënin mënjanë “sepse fëmijët dhe gratë në Drenicë kanë nevojë për ushqim, ndihmë mjekësore, kanë nevojë për gjithçka”.
Kjo protestë njihet si një nga protestat më të rëndësishme në historinë e protestave të grave në botë.