Bullgaria dhe Rumania bëhen anëtare të plota të zonës Schengen

Ministrat e Bashkimit Evropian ranë dakord të enjten që të lejojnë Bullgarinë dhe Rumaninë të integrohen plotësisht në zonën e udhëtimit të lirë të Evropës me kontrolle ID, e njohur si zona Shengen

Foto ilustruese

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë hapur rrugën Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare të plota të zonës për lëvizje të lirë Schengen, prej fillimit të vitit tjetër.

“Është moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, shteti i të cilit është aktualisht në krye të Presidencës së bllokut evropian.

Bullgaria dhe Rumania, të dyja vende anëtare të BE-së prej vitit 2007, kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizje të lirë, prej muajit mars, pasi u është mundësuar vetëm trafiku ajror dhe detar, pa kontrolle kufitare.

Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth migrimit.

Megjithatë, Vjena ka thënë të hënën se nuk do të përdorë veton në takimin e ministrave të zhvilluar mëngjesin e së enjtes, dhe kështu dy vendet do të jenë anëtare të plota prej 1 janarit të vitit 2025.

Bukureshti dhe Sofja i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike që u janë vendosur nga Brukseli më 2010, mirëpo kanë pritur më shumë se një dekadë për t’u bërë pjesë e Schengenit, pasi disa vende kanë qenë kundër ndër vite.

Austria ka hequr dorë nga vetoja, vetëm pasi tri shtetet e kanë nënshkruar “pakon për mbrojtje kufitare”.

Marrëveshja parasheh angazhim të përbashkët të rojeve kufitare në kufirin bullgaro-turk, dhe kontrolle të përkohshme kufitare në rrugët tokësore për periudhë gjashtëmujore.

E krijuar më 1985, zona Schengen përbëhet prej 29 shteteve – 25 prej 27 vendeve të bllokut evropian, plus Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Kjo është zona më e madhe në botë pa kontrolle të brendshme kufitare.

Më shumë se 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm brenda saj./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika