Kritikave që partia në pushtet është duke i favorizuar komunat që janë duke u udhëhequr nga Vetëvendosja, u është përgjigjur edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Ai ka thënë se ndarja buxhetore bëhet në mënyrë të barabartë për të gjitha komunat dhe se këto kritika nuk qëndrojnë.
Ndërkaq, buxhetin e Podujevës prej 27.5 milionë eurosh, ai e ka quajtur solid, i cili siç tha, do të shfrytëzohet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Kjo nganjëherë krijon edhe keqkuptime edhe krijohet përshtypja që ka dallime, përndryshe vërehet një ndarje e barabartë e buxhetit, dhe sigurisht që ndonjë projekt edhe mund të jetë ma pak ose më tepër, por këto gjëra gjithmonë kanë ndodhur në ndarjet buxhetore. Buxheti i komunës së Podujevës këtë vit është diku rreth 27.5 milionë euro, një buxhet solid, i cili besoj që po arritëm ta shfrytëzojmë ashtu si duhet, do të na zgjedhë problemin e zgjedhjes së një numri projektesh për qytetarë”, ka deklaruar Bulliqi.
Ndërkaq, ai ka theksuar se sa i përket rrugës Prishtinë-Podujevë, me ndarjen e buxhetit nga Ministria e Financave, do të zgjidhen operatorët të cilët do t’i kryejnë punimet.
“Unë besoj që bashkëpunimi është jashtëzakonisht i mirë dhe po kemi një mirëkuptim pothuajse për gjitha projektet, të cilat janë në interes të qytetarëve. Rruga Prishtinë-Podujevë nuk është rrugë që ua zgjedh problemin vetëm qytetarëve të Podujevës për arsye që është një rrugë nacionale, nëpër të cilën, kalohet një numër i madh i mërgatës sonë, prandaj edhe më tepër i shtohet rëndësia e realizimit sa më të shpejtë të këtij projekti. Sigurisht që jemi shumë të kënaqur që ky projekt veç ka marrë rrugëzgjidhje dhe shpresojmë që të ecën proceduar, ashtu siç është më së miri, dhe të zgjidhen operatorët të cilët janë të respektuar dhe do ta kryejnë punën ashtu siç duhet”, ka vijuar Bulliqi. EO