Gjykata Themelore në Ferizaj, është e fundit që shqiptoi dënimin më të lartë që parasheh Kodi Penal në Kosovë.
Ajo dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani.
Dënime të tilla ndër vite u shqiptuan disa herë nga gjykatat, por ekzekutimi i tyre po del të jetë i vështirë.
Deri më tash, Gjykata Supreme ka konfirmuar vetëm dënimin e përjetshëm ndaj, Gani Kriezit, i cili u shpall fajtor për vrasjen e më pas edhe djegien e trupit të vëllait të tij në Rahovec më 2020.
Avokati Ahmet Tahiri thotë se as dënimi i shqiptuar të hënën ndaj Krivaçës zor se do të bëhet i plotfuqishëm.
“Gjykata në rastin konkret ka rënë nën ndikimin e presionit, edhe herën e parë ka vendosur vendim të njëjtë, edhe normal që nuk i bien mbas, por unë mendoj që nuk do të qëndrojë nga shkallët e tjera. Pikërisht mungesa e profesionalizimit te disa gjyqtarë e bënë që të njëjtit ti nënshtrohen presionit publik, dhe të marrin dënime kapital;e dhe për këtë këto dënime kanë rënë.. kryesisht problemi është tek gjyqtarët e shkallës së parë”, ka thënë Ahmet Tahiri – Avokat.
Ndërsa avokati tjetër Ardian Bajraktari thotë se gjykatat themelore duhet të zhvillojnë procese të drejta dhe pa shkelje, në mënyrë që gjykatat e shkallëve më të larta mos të kenë mundësi t’i ulin dënimet e tilla.
“Deri më tash kemi 9 apo 10 raste kur është shqiptuar nga Gjykatat Themelore kjo masë, por në shumicën e rasteve të tyre instancat e tjera qoftë Gjykata e Apelit apo Supreme i ka rishikuar këto dënime, kjo shpërfaq nevojën dhe domosdoshmërinë që gjykatat themelore të mos bien pre e presionit të opinionit publik, por të angazhohen të kemi administrim të mirë të procesit dhe të mos shoqërohen me shkelje”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.
Dy herë me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore ishte dënuar edhe Naser Pajazitaj, për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, porse Supremja e liroi tërësisht nga akuzat.
Gjykatat Themelore kishin shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm edhe në rastin e vrasjes së Armanda Aliut, Valbona Markut, Sabile Mavroqanit, si dhe në rastin e vrasjes së Jetmir Aliut.
Por, në të gjitha këto raste dënimet u ulën ose u prishën nga gjykatat më të larta.