Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për vitin e ardhshëm pritet të jetë 123 milionë euro.
Siç shkruan RTK, për ish-komandantin e FSK-së, Kadri Kastrati, këto mjete duhet të shpenzohen për blerjen e mjeteve ushtarake.
Teksa ka folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kastrati ka thënë se gjendja ka ndryshuar, andaj sipas tij edhe buxheti prej 123 milionë eurosh nuk mjafton për blerjen e armatimit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.
“Këto para, nuk janë të mjaftueshme. Qeveria duhet të mendojë edhe për forcat ajrore siç janë helikopterët. Duhet të mendojë edhe për pajisjet e tjera individuale dhe kolektive që janë shumë të kushtueshme. Edhe ato armë që ka tani FSK-ja, janë të vjetruara. Qeveria do të duhej t`i ndajë mbi 200 milionë euro ose të rrisë 1.7 për qind të bruto produktit vendor”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, ka thënë se blerja e armatimit, trajnimet, shkollimet dhe planifikimet e tjera të furnizimit dhe e gjithë struktura brenda forcës, janë në planin gjithëpërfshirës.
“Nëse flitet tash për blerje armatimesh e për kalim dhe tejkalim të projektit dhe planit atëherë është jo reale, ai plan mund të ndryshohet vetëm me ndihmën teknike të SHBA-së”, është shprehur deputeti Hiseni.
Ndërsa, deputeti Enver Dugolli, ka theksuar se buxheti i tanishëm prej 123 milionë eurosh, që sipas planit gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, do të duhej të arrihet në vitin 2028.
“Kemi arritur shumë në këtë fazë dhe besoj që kjo do ta përshpejtojë procesin e kompletimit të pajisjeve, trajnimeve, blerjeve ushtarake, infrastrukturën, akomodimin dhe kompletimin sa më të shpejtë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, theksoi ai.
Me qëllim që t’i ndihmohet FSK-së, në mars të këtij viti Qeveria formoi Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët mund të kontribuojnë me të holla.
Buxheti për vitin e ardhshëm që kap vlerën e 3.2 miliardë eurosh, nga qeveria e Albin Kurtit po proklamohet si më i madhi ndonjëherë në Kosovë.
Në draftin e tij të miratuar nga Qeveria, nuk është paraparë kosto për zbatimin e Ligjit të Pagave, nëse si i tillë votohet në Kuvendin e Kosovës.