Bytyçi për artikujt e incidentit në Bardh të Madh: Nuk më janë prezantuar më herët, ky është provokim

“Dokumenti që m’u prezantua këtu për Mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh nuk më është prezantuar deri në këtë moment gjatë bisedave me prokurorin Matt. Ky është një provokim i papranueshëm për mua që të qes në lajthitje përpara trupit gjykues dhe opinionit. Atë dokument, për herë të parë unë e pashë sot”, tha dëshmitari

Pasi iu treguan disa artikuj ndërkombëtarë lidhur me një incident në Bardhin e Madh, dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se një dokument i tillë nuk i është prezantuar më herët nga prokurori Matt Halling.

Pas kësaj, dëshmitari tha se ky është një provokim i papranueshëm për atë në mënyrë që prokurori ta vërë në lajthitje para trupit gjykues.

“Dokumenti që m’u prezantua këtu për Mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh nuk më është prezantuar deri në këtë moment gjatë bisedave me prokurorin Matt. Ky është një provokim i papranueshëm për mua që të qes në lajthitje përpara trupit gjykues dhe opinionit. Atë dokument, për herë të parë unë e pash sot”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, prokurori Halling i tha atij se nuk është roli i dëshmitari që të flasë nëse një dokument të pranohet në prova ose jo.

“Si dëshmitar nuk është roli i juaj që një dokument të pranohet në prova ose jo. Ju lutem dëgjoni pyetjen dhe jepni përgjigjen”, tha prokurori, duke vazhduar më pyetjet e tjera që kishin të bënin me ditën e betimit solemn të UÇK-së në Kleçkë.

Pas kësaj, sërish u diskutua për pranueshmërinë e këtyre artikujve, ku avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se po cenohen të drejtat e akuzuarve, duke shtuar se ky incident mund të jetë propagandë serbe.

Ndërsa, avokati i Veselit, Ben Emmerson, tha se në rast që vazhdon Prokuroria në këtë mënyrë, atëherë do të ketë një gjykim të bazuar në “copa gazetash”.

“Si mund të merret një artikull në media dhe të përdoret si provë… Nëse vazhdon Prokuroria në këtë mënyrë, atëherë do të kemi një gjykim bazuar në copa gazetash”, tha Emmerson.

Incidenti në Bardhin e Madh, mbrojtja thotë se dëshmitari po pyetet për një rast që nuk përmendet në aktakuzë

(Përditësuar, ora 16:20)-Gjatë pyetjeve të tij, prokurori Matt Halling pyeti dëshmitarin lidhur me disa artikuj të medieve ndërkombëtare në të cilin shkruhej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin marrë në kontroll një minierë të thëngjillit në fshatin Bardh i Madh dhe se kishin marrë peng nëntë minatorë serbë.

Lidhur me këtë, pati kundërshtime mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, i cili tha se ky incident nuk është përmendur në aktakuzë dhe se po përpiqen t’i përfshijnë të akuzuarit në një incident të tillë.

“Ne po ju themi që nuk është përmendur kjo në aktakuzë. Ky incident konkret nuk është i përmendur në aktakuzë. Nuk jemi informuar si mbrojtje sa i takon faktit se është hetuar ky incident dhe ata po përpiqen t’i përfshijnë drejtpërdrejt të akuzuarit në një incident të papërmendur në aktakuzë. Ky është një njoftim i papërshtatshëm që ua bën zotëri Halling”, tha Mishetiq.

Pas tij, me kundërshtime vazhdoi edhe mbrojtja e Veselit përmes avokatit Ben Emmerson, i cili tha se këto janë copëza gazete, dhe kjo nuk është aspak e logjikshme dhe se nuk duhet të pranohen në prova materiale.

“Unë dua ta vërtetoj zotëri Halling që është kryer krimi dhe të vërtetoj që udhëheqja ka pasur njohuri dhe ka pasur autoritetin të parandaluar dhe ndëshkuar krimet e tilla dhe më pas të flasim për relevancën parimisht. Tani këtu në këtë rast ka disa pretendime, asnjë provë nuk ka Prokuroria që ka ndodhur kjo. Këto janë thjesht pretendime dhe të thuash që të pranojmë artikuj gazete për vërtetësinë e krimit që ka ndodhur krimi kjo është absurde, se kjo nuk është në aktakuzë. Këto janë copa gazete dhe kjo nuk është aspak e logjikshme”, tha Emmerson.

Pas një konsulte me anëtarët e trupit gjykues, kryetari Charles Smith III tha se ky material nuk do të përdorrt për të provuar vërtetësinë e fakteve që përfshihen në atë, mirëpo duhet të pranohet për të vërtetuar besueshmërinë e dëshmitarit.

“Materiali që po diskutohet nuk mund të përdoret në këtë pikë, me këtë informacion që kemi për të provuar vërtetësinë e fakteve që përfshihen në atë. Megjithatë, mund të lidhet me besueshmërinë e këtij dëshmitari dhe për këtë arsye do ta pranojmë atë. Kundërshtimi rrëzohet”, tha Charles Smith III.

Ndryshe, për këtë incident, dëshmitari tha se nuk ka asnjë informacion duke i kërkuar prokurorit që të mos e provokojë më tepër.

“Nuk kam pas informacion as atëherë dhe as deri sot. Mos më provoko më tepër”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet për disa nofka që mbanin anëtarët e UÇK-së, për të cilat tha se përdoreshin nga disa vetë. Ai tha se nofkën “Daja” e përdorte Azem Syla, nofkën “Gjermani” e mbante Xhemë Gashi, ndërsa nofkën ‘Baca” e mbante Isuf Gashi.

Ai gjithashtu foli edhe për një takim që kishte pasur me Thaçin më 1998 e që dëshmitari e kishte identifikuar në librin e tij. Bytyçi kishte shkruar se Thaçi ishte prezantuar si komandant “Gjarpi” i cili më vonë pastaj u bë udhëheqës i UÇK-së.

Dëshmitari tha se është në dijeni që edhe Jakup Krasniqi e ka botuar një libër të quajtur “Kthesa e Madhe”, për të cilin tha se u është dhuruar një kopje nga autori, por që nuk ka arritur ta lexojë të tërin.

Bytyçi pohoi se më 13 qershor 1998 në Negroc ishte takuar me Kadri Veselin dhe më pas për të vazhduar në Kleçkë për të xhiruar daljen e parë publike të Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së.

Duke kërkuar që të identifikojë personat në videon e daljes së parë të Krasniqit, dëshmitari tha se përveç të akuzuarit, bashkë me atë ishin Ferat Shala, Fatmir Limaj dhe prapa kamerës Kadri Veseli./Betimi për Drejtësi

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika