Të martën e 11 tetorit, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, është përplasur me deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi.
Deputetja Bytyqi e ka quajtur Hekuran Muratin ministër të dështuar, sepse sipas saj ai vetëm po i përmend 20 vjet qeverisje të kaluara dhe nuk po e shfrytëzon kohën tani që është në qeverisje.
“Jemi lodhur duke i përmendur 20 vjet, i keni gati 20 muaj, jeni ministër i dështuar. Është dashur të merrni masa më herët dhe të mos paguani punëtorë të cilët nuk kanë shkuar në punë asnjë ditë”, i ka thënë Bytyqi-Muratit.
Ministri, paraprakisht i kishte thënë Bytyqit se këto gjëra i kanë trashëguar për 20 vjet nga partitë e kaluara të cilat e kanë drejtuar vendin.
“Problemet që i keni shkaktuar ju ne i kemi gjetur tani, jemi duke u munduar t’i rregullojmë të gjitha gabimet që i keni bërë ju”, ka thënë Murati.