Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar ashpër ndaj planifikimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për organizimin e vendvotimeve në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas tij, vendosja e kabinave të votimit ballë për ballë dhe përdorimi i fletëvotimeve në format A3 rrezikojnë seriozisht fshehtësinë e votës.
Ai ka theksuar se kjo mënyrë organizimi jo vetëm që ekspozon votuesit ndaj njëri-tjetrit, por lejon komisionerët dhe vëzhguesit të kenë pamje të qartë të lëvizjeve të tyre gjatë votimit.
Cakolli gjithashtu rikujton se ky nuk është rasti i parë kur KQZ-ja ka ndërmarrë vendime që cenojnë privatësinë e votuesve. Ai përmendi matrikulimin e gishtërinjve të votuesve, një praktikë që ishte konsideruar si shkelje nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, por që u injorua nga KQZ-ja.
“Është e çuditshme pse KQZ-ja po krijon kushte ku votuesit ndihen të ekspozuar pa privatësi të plotë gjatë votimit?!… Fshehtësia e votës është e drejtë fundamentale – jo luks!”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.
Ai ka bërë thirrje që KQZ-ja të rikthehet te standardet ndërkombëtare dhe të garantojë fshehtësinë e votës, duke e cilësuar këtë si një obligim ligjor që nuk mund të neglizhohet.