Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është caktuar kalendari për hapat e ardhshëm në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.
Ky caktim është bërë me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, më 27 mars 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij vendimi, sa i takon situatës financiare të ekipeve të tyre, mbrojtja u urdhërua që t’i plotësojë dhe dorëzojë formularët dhe dokumentacionet e nevojshme deri më 12 prill 2024, në rast që synojnë të kërkojnë ndihmë juridike nga DhSK.
Po ashtu, ekipet mbrojtëse u urdhëruan që të dorëzojnë edhe parashtrimet me shkrim nëse ka ndonjë pengesë në përmbushjen e afatit për dorëzimin e formularëve të nevojshëm.
Përmes këtij urdhri, gjyqtari Guillou kërkoi nga Zyra Administrative që t’i trajtojë këto kërkesa në mënyrë urgjente.
Sa i përket situatës së financimit të ekipeve të tyre, mbrojtja urdhërohet t’i plotësojë dhe dorëzojë formularët dhe dokumentacionin e nevojshëm deri më 12 prill 2024, nëse synojnë të kërkojnë ndihmë juridike nga DhSK-ja.
Gjykatësi urdhëroi ekipet e mbrojtjes që t’i dorëzojnë parashtrimet me shkrim nëse ka ndonjë pengesë në përmbushjen e afatit për dorëzimin e formularëve të nevojshëm, si dhe kërkoi nga Zyra Administrative që t’i trajtojë këto kërkesa në mënyrë urgjente.
Ndër afatet e tjera kohore, gjykatësi urdhëroi gjithashtu që mbrojtja të dorëzojë dosjen e vet paraprake deri më 7 qershor dhe caktoi 21 qershorin 2024 si datë për kalimin e dosjes së çështjes trupit gjykues.
Mbrojtja e Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtjarit kanë paralajmëruar masa juridike ndaj një vendimi që sipas tyre e ka marrë Zyra Administrative të DhSK-së për reduktimin e buxhetit në skemën juridike.
Në seancën përgatitore të 22 marsit 2024, avokati i Januzit, Jonathan Elystan Reese tha se ky vendim është marrë pa asnjë negocim dhe as paralajmërim dhe se financimi për mbrojtjen është reduktuar deri në 75 %.
Sipas tij, kjo shifër është e papranueshme, e paprecedentë dhe se ky veprim i Zyrës Administrative është sulm kundër tyre. Reese thotë se po cenohen të drejtat e të akuzuarit.
Ai shtoi se më nuk janë në kushte të barabarta dhe situata bëhet edhe më keq pasi nuk u bë asnjë konsultim përpara se të bëheshin këto reduktime.
Reese tha se do t’i bëjnë parashtrimet e nevojshme për Kushtetuese, kundër vendimit të Zyrës Administrative.
Avokatja e Bahtjarit, Felicity Gerry KC tha se i mbështet parashtrimet e ngritura nga avokati Reese.
“Sigurisht që unë e mbështes zotëri Resse në çdo gjë që ngriti në parashtrimet e veta. Në Ministrinë e Drejtësisë kërkesa për financim është dërguar në janar. Është dërguar më shumë se një herë dhe kërkesat janë injoruar plotësisht derisa u fut në fuqi një ligj i ri me datë 2 shkurt dhe Ministria e Drejtësisë pastaj vendosi që ky ligj ishte ligji i zbatueshëm”, tha Gerry.
Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.
Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.
Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.