Komisioni Ekzekutiv për Fondin Sovran ka përcaktuar Rrezarta Pllanën si Koordinatore për funksionalizimin e Fondit Sovran pas një propozimi që vjen nga Koncept Dokumenti i miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Përshpejtimi i funksionalizimit të Fondit Sovran është një proces i cili ishte theksuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të takimit të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran. Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për funksionalizimin e grupit punues që do jetë përgjegjës për hartimin e projektligjit për Fondin Sovran.
Koordinatorja e përcaktuar nga Komisioni Ekzekutiv do të jetë përgjegjëse për strukturimin e ndërmarrjeve publike, njëherësh edhe për propozimin për themelimin e grupit të ekspertëve, që do bëhen pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për Fondin Sovran.
Në takim morën pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.