Të premten, Departamenti i Krimeve të Rënda bashkëlidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave me inicialet M.R dhe I.P për vrasje në tentativë dhe sulm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
M.R dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Mbajtje në pronësi,kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ ndërsa, i pandehuri I.R dyshohet se ka kyer veprën penale ‘’Sulm ndaj personit zyrtar’’.
Me kërkesën e prokurorit të shtetit ,gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin.
Gjatë seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, thuhet se:
“Të pandehurit M.R dhe I.R , dyshohen se më datën 15.03.2022 rreth orës 21;19, derisa zyrtarët policorë E.B dhe L.H kishin qenë duke patrulluar të angazhuar me planin operativ për parandalimin e vjedhjeve dhe veprave të tjera penale,ishin sulmuar nga i dyshuari M.R i cili, fillimisht, kishte tentuar t’i godasë me veturën e tij BMW dhe më pas nga vetura kishte shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor L.H. Ky i fundit, paraprakisht, ishte prezantuar si zyrtar policor dhe e kishte urdhëruar që të ndalet, mirëpo i dyshuari nuk kishte përfillur urdhërin dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarit policor nga një distancë e shkurtër.”
“Zyrtarët policorë kishin arrritur ta ndalojnë të dyshuarin M.R, por, gjatë ballafaqimit me të, ata ishin sulmuar fizikisht nga i dyshuari I.P, i cili i kishte goditur me grushte zyrtarët duke iu shkaktuar lëndime trupore. Në ato momente, kanë mbërritur edhe njësitë e tjera policore dhe kanë bërë arrestimin e dy të dyshuarve.”
Kundër këtij aktvendimi, të dy palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.