Prokuroria Themelore ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që ta dërgojë në paraburgim ish-policin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq akuzohet se ka kryer sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.
“Kryerja e veprës terroriste edhe ka kërkuar 1 muaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj, Pantiqit, edhe kjo kërkesë është aprovuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, për RTV Dukagjini.
“Prishtinë, 12 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.P për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.P e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, kanë shtuar ata.
Më tej, Gjykata Themelore e ka argumentuar se ku e ka mbështetur vendimin për paraburgimin e Dejan Pantiq-it.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, në kuptim të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së”, ka sqaruar Gjykata Themelore në Komunikatën e saj.
Ndërkohë Gjykata Themelore ka treguar se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit kundër këtij aktvendimi
Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të shtunën e 10 dhjetorit.
Ndryshe, arrestim i Pantiqit ka nxitur reagime të krerëve të Serbisë, të cilët i kanë urdhëruar bandat kriminale, të cilat gjenden në katër komunat veriore të Kosovës, që t’i bllokojnë rrugët, në mënyrë që Policia e Kosovës të mos ketë mundësi që të arrestuarin për terrorizëm ta dërgojë në Prishtinë.