Presidentja Vjosa Osmani do të jetë në Uashington për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Ish-ambasadori Edon Cana thotë se është rëndësi e veçantë që Kosova merr pjesë, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është qëllim strategjik më i rëndësishëm sesa anëtarësimi në BE.
“Cdoherë që Kosova mer pjesë në samitet e NATO-s apo në organizimet në kuadër të NATO-s është e një rëndësie të vecantë, pasi unë mendoj që një qëllim më i rëndësishëm strategjik i Kosovës më i rëndësishëm se BE është anëtarësimi në NATO, andaj përafrimi i Kosovës me NATO-n apo në aspektin vizuel prezenca e Kosovës në këtë samit të rëndësishëm, simbolikisht duke marrë parasysh përvjetorin është lajm i mirë,” ka thënë Cana në “FIVE”.
E takimet me zyrtarët e lartë, Cana po ashtu i quan me rëndësi.
“Këto takime janë tepër të rëndësishme mendoj, por pa substancë takimet nuk kanë ndonjë rëndësi duke marrë parasysh që Kosova në këto 3 vitet e fundit ka shënuar një regres të paparë në raport me përafrimin me NATO-n, duke marrë vendime drastike që nuk i kemi parë asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.”
Ndërsa nga kryeministri Albin Kurti pati edhe një shkrim në NewYorkTimes, ku ka folur për 75-vjetorin e NATO-s, e si e ka parë Cana përmbajtjen që kryeministri thotë se populli i Kosovës është dëshmia se pse duhet të ekzistojë NATO, ai thotë se ky shkrim ishte i duhur por këtë e quan karakteristikë të “politikanëve populist”.
“Për një person që nuk i njeh rethanat apo historinë e Kosovës ky shkrim është i jashtëzakonshëm, por mendoj që është një plagjiat në kontekstin e tektsit, jo që është vjedhur në aspektin që vetë teksti, por në konceptet sepse mendoj që në esencë përbën çdo gjë që Kurti ka qenë kundër, është e kundërta e Kurtit dhe mund të them që është shumë hipokrite, por është karakteristikë e politikanëve populist, por mirë që është shkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,” shtoi Cana.