Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavuşoglu, të cilit i ka shprehur mirënjohjen për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe se Turqinë e ka cilësuar si partner, mik dhe aleat të madh.
Në njoftimi për media nga zyra e kryeministrit, thuhet se kryediplomati turk teksa e ka theksuar mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ka thënë se Turqia do ta mbështesë Kosovën për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ministri turk ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.
Ndërkaq, duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.
“Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri”, vijon njoftimi.
Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit thuhet se është folur edhe për fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje.
Ndërkohë, u vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.
Çavusoglu, gjatë takimit të tij me kryeministrin Kurti, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kështu ka bërë të ditur ministri turk përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, ku ka potencuar se në takim është folur për kërcënimin që paraqet organizata terroriste e FETO-s.
“Diskutuam modalitetet për ta avancuar bashkëpunimin tonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Theksova kërcënimin që paraqet organizata terroriste e FETO-s”, ka shkruar kryediplomati turk.
Ndërkaq, të dielën e 19 qershorit, ai është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe me ministren e Punëve të Jashtme në Kosovë, Donika Gërvalla.