Brenda pesë viteve të ardhshme në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.
Ky është plani që e ka zbuluar ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku. Ai ka thënë se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti, në mënyrë që Kosova të jetë gati me infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
“Ne e kemi nisur para disa muajsh në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, me disa kryetarë të komunave një plan të përbashkët për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në vendin tonë. Tashmë kjo korrespondon edhe me planin që e kemi për Lojërat Mesdhetare, por ky është një proces që ka nisur më herët për të cilin ne kemi pasur një vizitë në dy shtëpitë botërore të futbollit në UEFA dhe në FIFA, jemi takuar me presidentët përkatës dhe e kemi mbështetjen e tyre profesionale, do të synojmë edhe financiare që të na ndihmojnë në këtë ndërmarrje të madhe shtetërore. Tashmë e kemi një memorandum të përbashkët me 16 kryetarë të komunave dhe me kryetarin e Federatës së Futbollit ku i ndajmë detyrat bashkërisht në lidhje me konsolidimin e infrastrukturës së futbollit. Pra, po flasim për 27 projekte të infrastrukturës së futbollit, një pjesë e tyre janë renovime, një pjesë e tyre janë ndërtime nga e para”, ka thënë Çeku për KP.
Nga ky projekt, me stadiume të rinovuara ose krejtësisht të reja pritet të bëhen shumë komuna, si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja, Gjakova e Ferizaj.
“Si obligim në raport me Lojërat Mesdhetare, ne jemi zotuar për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës dhe ky stadium tashmë do ta kalojë fazën e një studimi dhe një masterplani për të gjitha lojërat ku përcaktohet lokacioni, kapaciteti, për stadiumin nacional të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, kemi nisur me procedurat për ndërtimin e stadiumit të ri në Bërnicë, në Prishtinë, do të jetë një stadium ndihmës për nevojat e klubeve të kryeqytetit të Kosovës. Në Pejë, shkojmë me renovim total të stadiumit të qytetit ‘Shani Haxhiislami’… Në Ferizaj, çështja është pak më specifike, nuk e kanë një stadium të dinjitetshëm qyteti i Ferizajt. Edhe aty ministria e ka të kontraktuar në operator që po e bën studimin e fizibilitetit, pra për përcaktim të lokacionit si hap i parë dhe në momentin që përcaktohet lokacioni, do ta hartojë projektin zbatues për stadiumin e ri të Ferizajt… Renovimi i stadiumit të qytetit në Gjakovë që është një projekt ku kontribuon edhe Komuna e Gjakovës… Me ‘Përparim Thaçin’ në Prizren një fazë e kemi përfunduar dhe tashmë ka mbetur vetëm faza e fundit që e funksionalizon në tërësi stadiumin e qytetit ‘Përparim Thaçi’ në Prizren”, ka thënë tutje Çeku.
Nga plani për përgatitjen për Lojërat Mesdhetare pritet të përfitojnë edhe komunat më të vogla, si Shtimja, Suhareka, Rahoveci e Malisheva.
“Në Shtime, ka nisur procedura për kontraktimin e operatorit që do ta bëjë renovimin e stadiumit të qytetit në Shtime, ndërsa njëjtë do të jemi edhe me stadiumin e ri të Rahovecit… Në Drenas është në vazhdimësi ndërtimi i stadiumit të Drenasit. Edhe aty po shohim mundësinë e mbështetjes financiare për komunën që ta përfundojmë sa më shpejtë këtë stadium. Për të vazhduar me stadiume të tjera lokale, është stadiumi i Pozharanit në Viti, është stadiumi i qytetit në Malishevë ku po e bashkëfinancojmë me komunën dhe është projekt që është duke u realizuar edhe premtimi i operatorit është që deri në fund të vitit përfundon edhe ndërtimi i stadiumit në Malishevë dhe funksionalizohet në tërësi në shërbim të sportistëve. Me Suharekën dhe ekipin tonë kampion dhe të sukseseve ndërkombëtare, Ballkanin, tashmë diskutimet janë intensifikuar me kryetarin e komunës për përcaktimin e lokacionit”, ka shtuar ai.
Sa i përket stadiumit nacional, i pari i MKRS-së zbuloi se ndërtimi i tij ishte kërkesë specifike e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Po, është një kërkesë specifike e tyre që lidhet sidomos me dy ceremoni kryesore, hapjen dhe mbylljen, kjo është shumë e rëndësishme, por jo vetëm. Edhe futbolli edhe atletika janë sporte shumë të rëndësishme brenda Lojërave Mesdhetare dhe ne duhet t’i sigurojmë që për këto do të kemi zgjidhje adekuate. Po, gjithmonë duke u siguruar që këto ndërtime të reja nuk i shërbejnë vetëm lojërave. Ne kështu e kemi argumentuar edhe vizionin tonë kur e kemi paraqitur kandidaturën.”, ka shtuar tutje i pari i MKRS-së.
Sipas Çekut, kostoja për ndërtimin e stadiumit nacional do të jetë shumë e lartë, dhe se për këtë janë duke kërkuar fonde edhe nga shtete të tjera.
“Kostoja do të jetë e madhe sepse po flasim për stadiumin me kapacitetin më të madh, po besoj unë, të Kosovës dhe në këtë kuptim ne do të kërkojmë edhe burime të tjera të financimit. Pra, jemi dakorduar brenda qeverisë edhe me ministrin e Financave që të synojmë të sigurojmë fonde edhe nga shtete të tjera edhe nga burimet alternative që ta mbulojmë më lehtë koston e ndërtimit të stadiumit nacional të Kosovës… Ligji i ri i sportit e trajton në mënyrë të veçantë çështjen e menaxhimit fasiliteteve sportive në vendin tonë. Tashmë jemi në fund të diskutimit, janë disa modele që janë propozuar, sepse kemi parë se si e bën bota këtë punë që të mësojmë nga përvojat e tyre, pak e kemi parë se si ka qenë përvoja jonë, përgjithësisht jo e mirë, me shumë telashe, shpesh barra iu lihet vetëm komunave, raste federatave ose klubeve dhe kjo shkakton kosto të madhe, paaftësi menaxhimi dhe ne nuk e kemi sot një model të qëndrueshëm për menaxhimin e këtyre fasiliteteve sportive”, ka theksuar Çeku.
Duke e cilësuar organizimin e Lojërave Mesdhetare si ngjarjen më të madhe historike për Kosovën, Çeku ka kërkuar mobilizim mbarështetëror, në mënyrë që në vitin 2030 gjithçka të jetë gati për pritjen e mijëra sportistëve nga tri kontinente në vendin tonë.
“Dikush po thotë që 6-7 vite janë larg sepse nganjëherë kjo çështja e Lojërave Mesdhetare, pak edhe me humor, po interpretohet si diçka e largët e po shihet si një angazhim që vjen dikur më vonë, është e kundërta. Unë mendoj që koha ndoshta nuk është e shkurtër, por çdo ditë duhet punuar për ta arritur targetin e 2030-s sepse nuk po flasim vetëm për stadiume të reja. Ne jemi zotuar në kontratën që e kemi me ICMG-në që do të ndërtojmë të paktën katër fusha të tjera infrastrukturore të sportit dhe njëra nga ato është edhe kompleksi i pishinave olimpike të Kosovës, prapë një ndërmarrje shumë e madhe, jo vetëm në kuptimin e kostos por edhe të kompleksitetit të ndërtimit sepse edhe aty janë standardet shumë rixhide ndërkombëtare… Unë besoj që nëse jemi të mobilizuar të gjithë bashkë do ta arrijmë edhe targetin për ta konsoliduar infrastrukturën fizike sportive, por po aq e rëndësishme është edhe kapaciteti organizativ”, ka theksuar tutje Çeku.
Infrastruktura që do të ndërtohet brenda këtyre pesë viteve dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare, sipas Çekut, do të shërbejë për promovim të jashtëzakonshëm të sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kujtojmë që pikërisht para një jave, ministri Çeku dhe kryetari i komunës së Gjilanit Alban Hyseni, në një marrëveshjen kanë zotuar 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit.
Lexo dhe: Çeku: Stadiumi i Gjilanit po bëhet
“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar”, kishte njoftuar ministri Çeku.