Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka uruar xhudisten, Distria Krasniqi pas fitores që ka arritur në garën më prestigjioze të xhudos në Paris, ku ka fituar medaljen e artë.
Ministri Çeku ka vlerësuar se sportistet tona, me angazhimin e tyre po japin shembull për fëmijët e të rinjtë e vendit.
Ai nëpërmjet rrjetit social Facebook, iu ka uruar shumë suksese edhe xhudistëve të tjera në garën e turneut “Grand Slam Paris 2023”.
“Urime Distrias dhe gjithë komunitetit të sportit. Shumë suksese xhudisteve të tjera në këtë garë”, ka shkruar ministri Çeku.
Kampionia olimpike me tri fitore u kualifikua në finale, ku para dhjetëra e mijëra tifozëve, arriti ta mposhtë në finale hungarezen, Reka Pupp.
Ndryshe, Distria e nisi raundin e parë pa ndeshje, ndërsa në raundin e dytë e mposhti spanjollen Marina Castello Diez për të kaluar në çerekfinale.
Në çerekfinale, xhudistja jonë u takua me mongolezen Sosorbaram Lkhagvasuren, të cilën e mposhti me ‘ippon’ për të kaluar në gjysmëfinale.
Ajo u tregua e fortë edhe në gjysmëfinale duke fituar me dy ‘waza-ari’, ndaj francez Amandine Buchard dhe për të siguruar medaljen.