Takimet bilaterale për çështjen e dinarit në Bruksel, tashmë kanë filluar.
Siç raporton “RTS”, takimi i kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka nisur në orën 09:00 e më pas me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Lidhur me këtë temë, gjatë ditës së djeshme, është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se Bislimi në takimin e së enjtes në Bruksel nuk mund të negociojë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se të dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do t’i vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i BQK-së.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Takimi i fundit në mes të kryenegociatorëve ishte më 25 mars, Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kritikoi Kosovën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.