Të martën e 6 dhjetorit, samiti në Tiranë do të jetë i pari midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Në këtë takim, udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me anë të këtij samiti, ku vend nikoqir do të jetë Tirana, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti, për Portalin Dukagjini ka thënë se, BE-ja po i jep peshën dhe rëndësinë që ka Shqipëria në rajon dhe në këtë proces.
“Aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë qëllime dhe sfida për secilin shtet, por është edhe sfidë rajonale. Për shkak të bashkëpunimit rajonal, normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët, apo më mirë të thuhet të implementimit të politikës së fqinjësisë së mirë, paraqet zinxhirin kryesor të ecjes përpara dhe drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë Hoti.
Ndërsa sa i përket marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen në këtë takim, Hoti ka thënë se do të fuqizojnë dhe më shumë rajonin dhe do të hapin një perspektivë që vendet të punojnë edhe më shumë, të ecin në parametrat e kërkuar në fusha të caktuara, për të ofruar aspiratën e anëtarësimit sa më afër.
Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, si do të ndikojë ky samit në bisedimet më tutje, Hoti ka thënë se BE-ja duhet të jetë shumë më këmbëngulëse dhe e vendosur karshi Serbisë.
“Lufta në Ukrainë ka shpërfaqur një ambiguitet të shtetit serb, duke u munduar që të mbajë raporte të mira me Rusinë dhe injoruar totalisht, thirrjet e BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke pranuar armatime të ndryshme nga Rusia, duke kërcënuar vendet e rajonit. Serbia me këto veprime, paraqet pikën e zezë në rajon dhe BE duhet t’i thotë mjaft më Serbisë”, ka vijuar tutje.
Hoti ka thënë se është mirë që BE-ja të dërgojë një sinjal të qartë për Serbinë që bisedimet me Kosovën të përfundojnë sa më parë.
“Në anën tjetër, Republika e Kosovës e di mirë që pozita e saj në këto bisedime varet nga mbështetja e fuqishme e BE-së dhe SHBA-ve. Uroj që të dërgohet një sinjal i qartë për Serbinë nga BE-ja që bisedimet Kosovë-Serbi të përfundojnë sa më parë”.
Sipas tij, në këtë samit, Kosova do të përfitojë nga projektet e ndryshme që do të ofrohen nga BE-ja, në reforma, infrastrukturë, inovacion e shumë fusha të tjera.
“Përfitimi në këto fusha do të ofrojë edhe më shumë Kosovën me Bashkimin Evropian”.
Po ashtu edhe njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, për Portalin Dukagjini ka thënë se, ky samit ka rëndësi të veçantë politike, dhe duhet parë në disa dimensione.
“E para, duke përçuar porosinë se BE-ja vazhdon të mbajë në vëmendje gjitha temat që ndërlidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe e dyta, BE-ja mbështet përafrimin e gjithë rajonit me vlerat e tyre, lidhur me procesin integrues, për ta kompletuar gjeografinë politike të kontinentit evropian”, është shprehur Pula.
Sipas tij, ky samit është më i madhi i këtij formati qysh nga viti 2000, kur është organizuar një i tillë në Zagreb të Kroacisë.
Tutje, analisti ka thënë se ky samit do t’i japë një motiv politik shtesë të gjitha proceseve integruese të vendeve të rajonit drejt BE-së, po ashtu do t’i japë një shtytje edhe të ngarkuarve specialë të BE-së, për të përshpejtuar hapat e trajtimit të temave të mbetura hapur në veçanti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Kosova nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse në samit ta dëshmojë se politikisht është e përkushtuar për rrugën integruese në strukturat euroatlantike.
“Rajoni ndodhet në një krizë të thellë politike e diplomatike për shkak të qasjes aspak fqinjësore nga ana e Serbisë karshi vendeve në rajon, dhe kjo lehtësisht mund të konkludohet duke i vlerësuar deklaratat e herëpasherëshme të Serbisë, por që rruga e integrimeve evropiane nuk duhet lënë pas dore si interes për ta kompletuar atë që quhet gjeografia politike e Evropës, përkundër që BE-ja që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE nuk ka shprehur gatishmëri serioze për zgjerim të mëtejmë të saj drejt Ballkanit Perëndimor”, ka vijuar ai.
Për të, Kosova nuk duhet të presë ndonjë mrekulli nga ky samit, kur shikohen në retrospektivë, “hapat e ngadalshëm të BE-së”.
Ndërsa, profesori universitar, Ngadhnjim Brovina, për Portalin Dukagjini, ka thënë se marrëveshjet nga ky samit janë të mirëseardhura në raportin integrues Ballkani Perëndimor-BE, pasi siç thotë ai, ato janë në vazhdën e marrëveshjeve integruese që janë nënshkruar deri më tani.
Brovina ka thënë se nga ky samit, Kosova përfiton sikurse shtetet e tjera në fusha të ndryshme.
“Është mundësi e mirë që ne si shtet të shfrytëzojmë këtë samit për t’i paraqitur kërkesat tona, duke kërkuar liberalizimin e vizave, marrëveshje finale me Serbinë sa më shpejt, përkushtimin e Kosovës pro vendeve perëndimore, karshi sanksioneve të vendosura ndaj Rusië, me ç’rast do të konfirmonim vlerat e përbashkëta me BE-në”, ka deklaruar Brovina.
Ndryshe, Kosovën në këtë samit do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.
Ndërkaq, më 1 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka quajtur Kurtin “llum terrorist”, duke paralajmëruar edhe mospjesëmarrjen e Serbisë në këtë samit.
Por pavarësisht deklaratave, ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë samit, duke thënë se nëse nuk do të merrte pjesë, do të kishte një dëm të madh për Serbinë.
Në këtë samit, BE-ja pritet të kërkojë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.
Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“.
Draft-deklarata mirëpret edhe zbatimin e marrëveshjes për heqjen e romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.