Një mjet i inteligjencës artificiale mund t’i ndihmojë mjekët të vlerësojnë sa i rëndë është gjendja shëndetësore e një pacienti, duke përdorur vetëm një fotografi të fytyrës së tij, thonë studiuesit amerikanë.
I trajnuar me miliona fotografi të fytyrave të njerëzve të shëndetshëm dhe 35 mijë fotografi të pacientëve me kancer, ky mjet mund të bëjë parashikime për mbijetesën, duke analizuar nga afër tiparet e fytyrës, veçanërisht zonën rreth syve, thonë shkencëtarët.
Megjithëse teknologjia është ende larg përdorimit të përshtatshëm në spitale, studiuesit synojnë që ajo t’i ndihmojë mjekët të rekomandojnë trajtimet më të përshtatshme për pacientët e tyre.
Gjetjet paraprake të këtij studimi janë publikuar në revistën shkencore The Lancet Digital Health.
Mjeti i inteligjencës artificiale i quajtur „FaceSurvival” sugjeron se zona poshtë syve dhe ajo rreth urës së hundës janë pjesët më të rëndësishme të fytyrës për t’u vlerësuar kur bëhen parashikime se sa kohë mund t’i ketë mbetur për të jetuar një pacient, shkruan BBC.
Këta tregues rezultuan të zbatueshëm për lloje të ndryshme të kancerit, me shkallë të ndryshme të rëndesës, përfshirë edhe rastet kur kanceri ishte përhapur në kocka ose në tru.