Këtë të mërkurë e ftuar në studion e Radio Dukagjinit ishte psikologia Ibelinda Halili, e cila foli për ankthin social.
Sipas psikologes, ankthi social është një gjendje që paraqitet tek njerëzit kur është puna tek interaksionet dhe marrëdhëniet sociale që përbëjnë shkëmbim, duke variuar nga përshëndetja e deri tek një marrëdhënie më e madhe.
Halili deklaroi se ankthi social nuk është vetëm shqetësim, bën pjesë në sferën e patologjisë, është një gjendje e çrregullimit që ka nevojë për trajtim, dhe mundësitë e menaxhimit të një problematike të tillë janë shumë të mëdha.
Personat që përballen me ankth social kanë irritim të jashtëzakonshëm, pamundësi të zhvillojnë biseda nga më të thjeshta deri tek ato më të elaboruara, ndihen të pasigurt në komunikim si dhe kanë frikë nga gjykimi i të tjerëve.
Persona të tilla kanë pamundësi të zhvillojnë prezantime publike, pamundësi të ushqehen në publik, të kenë raporte në vendin e punës. E gjitha kjo sipas Halilit ka bazë në fëmijërinë e hershme, kur sikleti fillon para shokëve e mësimdhënësve, dhe i përcjell në jetën e mëvonshme. Në çrregullim kalon në momentin kur ankthi e vështirëson ose e pamundëson interaksionin social.
Arsyet pse paraqitet ankthi sipas psikologes janë multifaktoriale, mund të jetë faktori i trashëgimisë, faktori social, si dhe faktori psikologjik i cili ndikon që njerëzit të kenë mendime për vetën që nuk kanë bazë faktike, kanë një lloj turpi të pa bazuar, me skenare negative në kokë, që i ndalojnë të veprojnë socialisht.
Halili deklaroi se kur prindërit në kohë të hershme vërejnë shenja të tilla tek fëmijët, duhet të angazhohen me vizita për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, pasi mosdiagnoza në fëmijëri, e vështirëson situatën në të ardhmen.