Çfarë është (ose ishte) Ballkani i Hapur?

Udhëheqësit kryesorë të Ballkanit të Hapur duket se kanë mospajtime rreth asaj se a ekziston nisma ende apo jo, teksa për njohësit e çështjes nuk ishte e qartë nëse Ballkani i Hapur ka ekzistuar ndonjëherë në terma konkretë. K2.0 i hedh një vështrim Ballkanit të Hapur, çka është, ose ishte, ose supozohej të ishte ai

FOTO: Atdhe Mulla / K2.0.

Nga Ellie Destani/ K2.0.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama shpenzoi pesë vjet duke promovuar nismën rajonale të integrimit ekonomik, përfundimisht të njohur si Ballkani i Hapur. Kjo u bë edhe arsye pse u prit me befasi kur ai papritmas tha se Ballkani i Hapur “përmbushi misionin për të cilin u lind”, në një intervistë për kanalin shqiptar të “Euronews”, më 1 korrik 2023.

Ai moment shënoi fundin e Ballanit të Hapur, la të nënkuptohet Rama, para se të shprehej se përqendrimi tani duhet të jetë në Procesin e Berlinit, të udhëhequr nga BE, për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.Në atë kohë, presidenti serb Aleksandar Vučić, partneri i Ramës në promovimin e Ballkanit të Hapur, dukej se nuk e kishte pritur me lehtësi lajmin.

“Nuk besoj që Rama e ka thënë këtë”, u shpreh Vučić, “shpresoj që ta takoj së shpejti”. Kur iu dha mundësia të qartësonte deklaratën e tij, muaj më pas, Rama komentoi se “Ballkani i Hapur ka përmbushur misionin për t’i ndërgjegjësuar të gjithë në rajon, por edhe të gjithë ata jashtë rajonit, për rëndësinë strategjike dhe jetike të bashkëpunimit rajonal”.

Udhëheqësit kryesorë të Ballkanit të Hapur duket se kanë mospajtime rreth asaj se a ekziston nisma ende apo jo, teksa për njohësit e çështjes nuk ishte e qartë nëse Ballkani i Hapur ka ekzistuar ndonjëherë në terma konkretë. K2.0 i hedh një vështrim Ballkanit të Hapur, çka është, ose ishte, ose supozohej të ishte ai.

Ku e ka fillin e gjitha?

Ideja e integrimit rajonal, e udhëhequr nga vendasit në Ballkan daton qysh në vitet e ’90-ta, kur kryeministri i atëhershëm shqiptar, Fatos Nano propozoi një zonë mini-Shengen apo zonë të përbashkët ekonomike rajonale. Rama nisi ta përmendë sërish idenë në vitin 2018 dhe, në vitin 2019, njoftoi për planet për të formuar një version të ri të mini-Shengenit, së bashku me Vučić dhe kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në vitin 2021, nisma u riemërtua Ballkani i Hapur dhe premtoi rritjen e bashkëpunimit ekonomik, duke hapur kufijtë dhe tregtinë mes vendeve pjesëmarrëse. Të gjithë anëtarët e asaj që BE e quan Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (Western Balkan Six – WB6) u ftuan të bashkohen. Maqedonia e Veriut iu bashkua Serbisë dhe Shqipërisë qysh në fillim, por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina ose kundërshtuan ftesën ose e refuzuan shprehimisht.

Mbështetësit e Ballkanit të Hapur argumentuan se nisma do të nxiste zhvillim pa zhvlerësuar nismat ekzistuese të bashkëpunimit rajonal, të të udhëhequra nga BE. Si rezultat i pakënaqësisë nga pritja pasive që BE të fillojë e t’i japë përparësi hapjes së shtigjeve për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, disa vende filluan që seriozisht ta marrin në konsideratë krijimin e tregut të tyre të përbashkët rajonal dhe nismave të tjera nën udhëheqjen e vendasve. Kjo udhëheqje nga akterët vendas, në vend të forcave të jashtme, e dalloi Ballkanin e Hapur nga nismat e tjera rajonale.

Ballkani i Hapur u kritikua qysh në fillim. Kritikuesit/et shtruan pyetje nëse kjo nismë do të ofronte ndonjë gjë tjetër përtej nismave tashmë ekzistuese për bashkëpunimin rajonal — me theks të veçantë Procesi i Berlinit i udhëhequr nga Gjermania, një mekanizëm bashkëpunimi për zgjerimin e BE që përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet anëtare të BE dhe Britaninë e Madhe. Ata/o po ashtu u shqetësuan se kjo nismë do ta largonte vëmendjen nga përpjekjet për t’u integruar në BE. Shqetësime të tjera ishin se Ballkani i Hapur mund t’i jepte Serbisë, ekonomisë më të madhe në Ballkanin Perëndimor, përfitime shumë të mëdha ekonomike.Ndikimi që Ballkani i Hapur do të mund të ketë te qytetarët e çdo vendi, siç janë edhe shumica e gjërave lidhur nismën, është i paqartë. Më e rëndësishmja nga marrëveshjet e nënshkruara, që do t’i prekte njerëzit në jetën e tyre të përditshme, ndërlidhet me qasjen e lirë në tregun e punës dhe njohjen reciproke të diplomave.

Përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor 2022 në Berlin, Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, theksoi se “Studentët tani duhet të paguajnë 300 deri në 500 euro vetëm për të njohur diplomat”. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal është një kornizë bashkëpunimi e udhëhequr nga rajoni dhe e financuar nga BE në Evropën Juglindore.

Rajoni i Ballkanit vuan gjithashtu nga radhët e gjata të pritjes në pikat kufitare, që janë përkeqësuar nga ndryshimi i rrugëve të transportit për shoferët komercialë, për shkak të luftës në Ukrainë. “Shoferët që punojnë në rajonin e Ballkanit dhe Detit të Zi po përballen me pritje të gjata në kufi — diku nga një-dy ditë deri në 40-50 ditë, varësisht nga sezoni dhe pikës së kalimit kufitar”, tha Umberto de Pretto, sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Transportit Rrugor. Në një nivel më të gjerë, bashkimi i burimeve dhe ndërlidhja rajonale e shtuar do të mund të sjellë rritje të mundësive për punësim dhe përfitime të tjera të prekshme për qytetarët e vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur.

Ndërkohë që ka pasur pak përparim në nivel institucional lidhur me vizionin e Ballkanit të Hapur, nisma rezultoi në diçka të prekshme, në një panair vjetor të verës, i quajtur “Wine Vision” (Vizioni i Verërave). “Wine Vision” pretendon të jetë “panairi më i madh dhe më me ndikim i verës në Evropën Juglindore” dhe u mbajt në Beograd, në vitet 2022 dhe 2023. Edicioni i vitit 2024 i “Wine Vision” planifikohet të mbahet në nëntor.

Përfundimisht, pavarësisht titujve të pafund rreth nismës pas samiteve të ndryshme diplomatike gjatë gjysmës së dekadës së fundit, gjërat nuk kanë lëvizur kurrë përtej thjesht synimeve.

Po procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit është një mekanizëm i udhëhequr nga Gjermania për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor u zotuan për Procesin e Berlinit në një konferencë të vitit 2014 në Berlin. Objektivi i procesit është të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet kandidatëve për BE dhe vendeve kandidate potenciale të Ballkanit Perëndimor. Procesi synon të rrisë bashkëpunimin rajonal brenda këtyre vendeve duke u përqendruar veçanërisht në infrastrukturë dhe përparim ekonomik.

Procesi i Berlinit ka mbajtur samite vjetore që nga themelimi i tij. Në Samitin e Sofjes 2020, BE përsëriti përkushtimin e vet ndaj Planit Ekonomik dhe i Investimeve, duke pranuar përgjigje pozitive nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, këto “investime duhet të mbështeten nga reformat themelore, që kërkohen në rrugën evropiane”. Ashtu si Ballkani Perëndimor, plani fton për rritje të lidhjes dhe krijimin e një “Tregu të Përbashkët Rajonal”, një hap drejt integrimit më të afërt të rajonit me tregun e përbashkët të BE përpara pranimit dhe miratimit gradual të të drejtave dhe obligimeve, të vlefshme në BE.

Një arritje teorike e Procesit të Berlinit ishte një marrëveshje e tetorit 2022 për lëvizjen e lirë që lejonte udhëtimin pa viza mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinë. Bartësve e pasaportave boshnjake ose kosovare u është dashur të marrin viza për ta vizituar vendin tjetër për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga serbët e Bosnjës. Megjithatë, gati tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për udhëtim pa viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinë, si pjesë e Procesit të Berlinit, marrëveshja ende nuk është zbatuar pasi u bllokua nga Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik.

Tri marrëveshje u shpallën si komponente të Procesit të Berlinit gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor 2022. Këto përfshinin lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe produkteve, si dhe njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve, të cilat u ratifikuan nga Mali i Zi dhe Kosova në prill të vitit 2023. Marrëveshja për diplomat kërkonte njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve universitare (siç bëri Marrëveshja e Ballkanit të Hapur për njohjen reciproke të kualifikimeve nga qershori i vitit 2022, e nënshkruar nga tri vendet anëtare). Sipas ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, marrëveshja e Procesit të Berlinit do t’i çojë shtetet e Ballkanit Perëndimor më tutje drejt një tregu të përbashkët rajonal, duke ua mundësuar qytetarëve të lëvizin dhe të punojnë lirshëm.

Po ato nismat tjera të bashkëpunimit rajonal?

Ka pasur shumë institucione dhe nisma të mbikëqyrura nga BE, që synojnë lehtësimin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Këto përfshijnë, ndër tjera, Fondin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, Procesin Brdo-Brijuni dhe Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje tregtare e bashkëfinancuar nga BE, që është krijuar për ta nxitur tregtinë duke hequr barrierat dhe duke nxitur investimet. Anëtarët aktualë të CEFTA janë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. Ndërsa, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia dikur kanë qenë anëtarë. Anëtarësimi i këtyre vendeve përfundoi kur ato u bënë anëtare të BE. CEFTA synon t’i harmonizojë kornizat rregullative me standardet ndërkombëtare dhe të BE, si dhe ka lidhur ekonomikisht të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që nga viti 2007.

Procesi Brdo-Brijuni u krijua në vitin 2013 nga presidentët e atëhershëm të Sllovenisë dhe Kroacisë. Ashtu si Procesi i Berlinit, Procesi Brdo-Brijuni synon zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ndryshon nga Procesi i Berlinit në atë që është një grupim rajonal i udhëhequr nga anëtarët e BE, Kroacia dhe Sllovenia dhe si e tillë nuk është përpjekje e gjithmbarshme e BE.

Takimi i udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni në shtator 2023 në Shkup u përqendrua në “Përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, luftimin e efekteve të ndryshimeve klimatike dhe zbutjen e tyre, si dhe mbajtjen e të rinjve në Ballkanin Perëndimor”. Megjithëse Procesi Brdo-Brijuni i paraprin Procesit të Berlinit, nuk i bën konkurrencë atij dhe të gjitha palët e përfshira në të, janë gjithashtu të përfshira në Procesin e Berlinit.

Komisioni Evropian miratoi së fundmi një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i krijuar që të stimulojë rritjen ekonomike, ashtu që rajoni të përfitojë në fazën para anëtarësimit. Plani përfshin një fond të propozuar prej gjashtë miliardë eurosh, të quajtur “Lehtësimi i Reformës për Ballkanin Perëndimor, nga viti 2024 deri në 2027. Pagesat nga ky fond do të kushtëzohen nga përmbushja e reformave për të cilat janë pajtuar.

Çka e bën Ballkanin e Hapur ndryshe?

Karakteristika kryesore që e dallon Ballkanin e Hapur është se ndryshe nga nismat e tjera të integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, ai është ideuar nga akterët vendorë. Vučić e përshëndeti Ballkanin e Hapur si “nisma jonë, një nismë e njerëzve nga Ballkani, të atyre që e kuptojnë se duhet të bashkëpunojnë dhe zgjidhin vetë problemet”. Rama ka përsëritur këtë qëndrim, duke theksuar se e sheh Ballkanin e Hapur si plotësues të Procesit të Berlinit.

Në nivel politikash, parimi kryesor i Ballkanit të Hapur është lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar shumë marrëveshje dhe memorandume të tjera si pjesë e Ballkanit të Hapur, që përqendrohen në integrimin e mundësisë së identifikimit elektronik të qytetarëve përtej kufijve, gatishmërinë ndaj fatkeqësive dhe sigurinë e ushqimit. Megjithatë, rajoni ende pret t’i shohë në praktikë rezultatet e këtyre marrëveshjeve.

Ngjashëm me marrëveshjen e stagnuar të Procesit të Berlinit 2022 për lëvizjen e lirë, kishte plane që qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse t’u sigurohej një “letërnjoftim i Ballkanit të Hapur”. Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse të punojnë në njërin nga vendet e Ballkanit të Hapur pa pasur nevojë për leje pune. Më 22 janar të këtij viti, në Shkup, përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria nënshkruan protokolle që mundësojnë hyrje të pakufizuar në tregjet e tyre të punës. Këto protokolle janë hapat e fundit ligjorë të kërkuar dhe qytetarët pritet të kenë qasje pa pagesë në tregjet e punës të këtyre tre vendeve deri më 1 mars 2024.

Megjithatë, qytetarëve ende do t’u duhet të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimit të Ballkanit të Hapur dhe ato do të duhej të miratoheshin secili rast veç e veç nga vendi pritës, duke e bërë gjithë procesin të tingëllojë ngjashëm me procesin e marrjes së vizës së punës.

Propozime të tjera përfshinin një agjenci të përbashkët për investimet e huaja, një fond rajonal filmik, shkëmbime të të rinjve, një festival rajonal teatror, promovim të përbashkët të turizmit dhe ulje të tarifave administrative në kufij.

Kush e shtynte përpara Ballkanin e Hapur?

Rama dhe Vučić kanë qenë promovuesit më të mëdhenj të Ballkanit të Hapur dhe udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Maqedonisë së Veriut kanë mbështetur publikisht misionin e Ballkanit të Hapur.

Teksa shpjegonte mbështetjen e tij për nismën, kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaroi se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia “nuk do të mbahen peng i dështimeve të Bashkimit Evropian në aspektin e procesit tonë integrues”. Fjalë të tilla e vënë në pah zhgënjimin që shumë maqedonas e ndiejnë për pengesat e shumta që vendi i tyre ka hasur në procesin e anëtarësimit në BE dhe theksojnë thirrjen për një nismë të udhëhequr nga rajoni.

Pasardhësi i Zaev, Dimitar Kovačevski, e vazhdoi mbështetjen për Ballkanin e Hapur, duke theksuar se Ballkani i Hapur nuk bie ndesh me Procesin e Berlinit. “Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit janë nisma rajonale që na afrojnë më shumë dhe janë nxitje për të mbajtur një përqendrim të qartë në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit, si dhe në qëllimin e përbashkët strategjik — integrimin evropian”, komentoi Kovačevski.

Mbështetja për nismën në Bosnjë e Hercegovinë ka qenë e përzier dhe përgjithësisht ka rënë në vija etnike. Politikanët serbë të Bosnjës, si Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, e kanë mbështetur nismën, ndërsa udhëheqësit boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës kanë qenë më dyshues.

Tegeltija mori pjesë në forumin e vitit 2021 për bashkëpunim ekonomik rajonal në Shkup me Vučić dhe Ramën. Për më tepër, Željka Cvijanović, anëtarja aktuale serbe e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, ka thënë se bashkimi me Ballkanin e Hapur do ta nxjerrë Bosnjën dhe Hercegovinën “nga balta ekonomike”.

Ish-kryeministri malazez, Dritan Abazović dhe presidenti Jakov Milatovićmbështeti Ballkanin e Hapur dhe ushqeu idenë për t’iu bashkuar nismës, duke përmendur lehtësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe mbështetjen e madhe për nismën nga publiku malazez.

Jashtë Ballkanit, Ballkani i Hapur u prit edhe me kritika dhe përkrahje. Shumë, përfshirë zyrtarë të BE, e shohin bashkëpunimin rajonal si thelbësor për zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit. Megjithatë, qëllimi përfundimtar i paqartësuar i Ballkanit të Hapur dhe stili personal i politikës së jashtme mbi të cilin duket se mbështetet, i ka lënë të shqetësuar disa njohës të çështjes.

Një përkrahje ndaj nismës, së fundmi erdhi nga ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov. Lidhur me këtë, ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi komentoi se “Lavrov mbështet konkretisht Ballkanin e Hapur ndërsa haptazi shkatërron Ukrainën”, duke vënë në pikëpyetje implikimet e mbështetjes dhe përfshirjes së mundshme ruse.

Zyrtarë të BE dhe ShBA kanë ofruar mbështetje të kufizuar për Ballkanin e Hapur, kryesisht për shkak të dëshirës së tyre për t’i parë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duke u përfshirë e jo vetëm Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në teori, bashkëpunimi rajonal midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të ndihmojë anëtarësimin në BE, të përmirësojë lidhjet politike dhe të ndihmojë pajtimin përgjatë të gjithë rajonit. Gjithashtu, rritja e bashkëpunimit mund të tërheqë investime të huaja, nga të cilat mund të përfitojnë drejtpërdrejt ata që jetojnë në rajon.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e përshkroi Ballkanin e Hapur si “proces gjithëpërfshirës që po i fton të gjithë për t’i thelluar lidhjet, duke përmirësuar bashkëpunimin midis ekonomive të ndryshme dhe duke pasur një integrim me të vërtetë të thellë të ekonomive”. Pavarësisht mbivendosjes së synimeve dhe proceseve të Ballkanit të Hapur mbi nismat nën udhëheqjen e BE, von der Leyen e konsideron nismën brenda Procesit të Berlinit, për sa kohë që ajo është e përkushtuar ndaj qëllimit të integrimit të tregut rajonal.Ka pasur mbështetje të ngurruar edhe nga Gjermania, e cila i ka theksuar ngjashmëritë e nismës me Procesin e Berlinit, duke shtuar se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen. Kjo pikëpamje e ndjek rrjedhën e deklaratës së Ramës se Ballkani i Hapur është “një fëmijë i Procesit të Berlinit”. Gabriel Escobar, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit i ngarkuar me mbikëqyrjen e politikës të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se nisma e ka mbështetjen e ShBA, por vetëm nëse bashkohen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kush është kundër Ballkanit të Hapur dhe pse?

Në përgjithësi, Ballkani i Hapur është përballur me kritika thelbësore nga skeptikët të shqetësuar për potencialin e tij për t’i përkeqësuar më tej tensionet ekzistuese dhe për t’i minuar përpjekjet e BE drejt nxitjes së bashkëpunimit rajonal. Kritika të tilla kanë ardhur nga udhëheqës politikë në shtetet e Ballkanit Perëndimor, që nuk iu bashkuan idesë (Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi) dhe nga autorë/e dhe zyrtarë/e nga institucionet shumëpalëshe.

Nisma u prit me kundërshtim të madh në Kosovë. Kritikët, si kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk janë kundër bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të një tregu të përbashkët, por janë skeptikë ndaj një nisme që drejtohet nga rajoni dhe jo nën mbikëqyrjen e BE. Integrimi në BE gjithashtu nuk shihet vetëm në terma ekonomikë; vlerat e përbashkëta dhe të kuptuarit e së kaluarës janë elemente kyçe.

Në fakt, Kurti ka thënë se “tregu i përbashkët duhet të shoqërohet me ballafaqim me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit”, duke iu referuar dështimit të Serbisë për t’u përballur me të kaluarën dhe për t’i adresuar sfidat ndaj demokracisë së saj. Kjo, në mënyrë shprehimore, kundërshton përqendrimin e supozuar të Ballkanit të Hapur në ekonomi me qasjen më të gjithmbarshme dhe (të paktën nominale) të BE, që është e orientuar drejt vlerave.

Madje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vënë në dyshim motivin e përfshirjes së Shqipërisë në një nismë me përfshirje kaq të drejtpërdrejtë të Vučić, duke u habitur se “pse Shqipëria do të pranonte një nismë të tillë ku Kosova nuk do të trajtohet si shtet sovran dhe ku një rol të rëndësishëm luan Vučić, udhëheqës i një shteti që çdo ditë tenton të destabilizojë Kosovën dhe të cenojë sovranitetin e saj”.Teksa qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, kundërshton fuqishëm Ballkanin e Hapur, disa kundërshtarë politikë kanë argumentuar se nuk ka asnjë pengesë për t’u bashkuar. Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka komentuar se “aftësia shtetërore e Kosovës nuk kalkulohet në Ohër, shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës llogaritet në Bruksel, në Berlin, në Washington dhe mbi të gjitha në OKB”.

Ndërsa udhëheqësit serbë të Bosnjës e Hercegovinës mbështesin projektin e Ballkanit të Hapur, politikanët nga grupet e tjera etnike mbizotëruese atje ë e kanë shpërfillur, kryesisht për arsye ekonomike.

Anëtari kroat i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Željko Komšić u shpreh se “Ballkani i Hapur ka vlerë zero euro, ndërkaq Procesi i Berlinit kushton 30 miliardë euro”. Kjo deklaratë sugjeron që Komšić e sheh Ballkanin e Hapur si nismë nga e cila nuk vjen ndonjë komponent apo përfitim financiar, në krahasim me investimet e rëndësishme financiare dhe përfitimet e mundshme që ndërlidhen me Procesin e Berlinit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të BE.

Në shkrimin për Balkan Insight, gazetari Samir Kajosević theksoi se “Bosnja dhe Mali i Zi kanë thënë se nuk shohin përfitime të veçanta nga kjo, pasi lehtësimi i udhëtimit dhe tregtisë tashmë mbulohet nga marrëveshja më e gjerë tregtare CEFTA midis vendeve në Evropën Juglindore”.

Kryeministri aktual malazez Milojko Spajić ka thënë se “ne nuk jemi gati për Ballkanin e Hapur për momentin” dhe se përqendrimi i Malit të Zi duhet të jetë në integrimin evropian, duke besuar në kritikën se Ballkani i Hapur është thelbësisht i ndarë nga procesi i integrimit evropian, pavarësisht se çka mund të pretendojnë mbështetësit e kësaj nisme.

Miroslav Lajčák, i dërguari i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, e përshkroi nismën si “konkurrencë jo të shëndetshme” me procesin e integrimit në BE. Kjo e ushqen edhe më tej ndjenjën se vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të zhgënjyera nga BE dhe po i kthehen një nisme thjesht rajonale.

Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina — me përjashtim të udhëheqjes serbe të Bosnjës — qëndrojnë fuqishëm kundër, duke iu frikësuar rritjes së ndikimit rajonal të Serbisë, shpresave të tyre të pasigurta për t’u pranuar në BE dhe objektivave të paqarta politike të atyre që udhëheqin nismën.

Ka shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe për potencialin që Ballkani i Hapur mund t’i përkeqësojë tensionet rajonale. Për më tepër, disa frikësohen nga institucionalizimi i një zone ekonomike ose politike që dominohet nga Beogradi, shqetësim ky që vjen nga hija historike e Jugosllavisë (krahasime, të cilat janë hedhur poshtë nga mbështetësit e Ballkanit të Hapur).

Pas përkrahjes së hapur nga Lavrov, ekziston gjithashtu frikë për mundësinë e ndikimeve të jashtme si Rusia, Kina dhe të tjerë që shohin mundësi gjeopolitike në një rajon, ku vizioni shpresëdhënës i ofruar nga BE mund të jetë zbehur. Këtë mendim e ka shprehur edhe Kurti, duke komentuar se Ballkani i Hapur është më shumë si “Ballkan i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja”.

Duke u përqendruar veçanërisht në kërcënimin se Ballkani i Hapur forcon hegjemoninë ekonomike serbe në rajon, ish-zëvendës shefi i misionit të OSBE në Kosovë Edward P. Joseph argumentoi se “Ballkani(ët) e Hapur kërcënon t’i vendos themel dominimit të Serbisë autoritare në Ballkanin Perëndimor, pa mekanizmin mbikombëtar të ndërtimit të besimit të Procesit të Berlinit”.

Disa raportojnë se Ballkani i Hapur ka “problem kronik me transparencën”, pasi politikat në vendet e Ballkanit Perëndimor janë përjashtuar nga debati rreth nismës. Për më tepër, përmbajtja e marrëveshjeve të ardhshme dhe të nënshkruara ka qenë vështirë e qasshme. Pas samitit të Ballkanit të Hapur në qershor 2022, Mali i Zi dukej se po i sillej vërdallë idesë për t’u bashkuar, por përfundimisht nuk e bëri këtë, duke publikuar një raport, i cili që atëherë është larguar nga webfaqja, duke theksuar mungesën e strategjisë dhe transparencës së Ballkanit të Hapur.

Zlatko Vujović i Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, me seli në Mal të Zi, ka komentuar se ndonëse heqja e pikave kufitare do ta mundësonte lëvizjen e lirë, kjo po ashtu do t’i “hiqte pengesat për kontrabandim të papenguar të narkotikëve dhe cigareve”.

Marrë parasysh të gjitha si më sipër, është e qartë se Ballkani i Hapur është përçarës dhe, mbi të gjitha, i paqartë. Duket se i mungojnë hapa konkretë të hollësishëm. Është gjithashtu e paqartë nëse kjo nismë e bazuar në bashkëpunimin rajonal, në fakt, do të jetë në gjendje të frymëzojë bashkëpunimin midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Politologu Florian Bieber, një komentues prej shumë kohësh i çështjeve politike në Ballkan, e shtyu tutje këtë mendim, duke deklaruar se “ideja e bashkëpunimit rajonal nuk është e keqe, por është problematike që jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po angazhohen”.

Ç’pritet më tutje?

Festivali i Vizionit të Verërave i Ballkanit të Hapur duket se është rezultati më i prekshëm i nismës. Edicioni i dytë vjetor u mbajt së fundmi në Beograd dhe ky panair ofron shumë nga përmbajtjet online të Ballkanit të Hapur. Festivali, këtë vit si partner pati operatorin shtetëror të telekomunikacionit serb “Telekom Srbija” dhe kompaninë serbe të sigurimeve “Dunav Osiguranje”, duke ngritur pyetje rreth nivelit në të cilin kjo sipërmarrje përputhet me interesat më të gjera ekonomike serbe. Kovačevski, Milatović dhe Vučić morën pjesë personalisht në festival, ndërsa Rama e mbajti fjalimin përmes video-lidhjes.

Në krijimin e Ballkanit të Hapur, disa akterë rajonalë shpresojnë t’i shohin përfitimet e integrimit rajonal pa pasur nevojë të zgjidhin çështje më të mëdha, thelbësore për përpjekjet e BE, siç është njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Derisa disa e shihnin Ballkanin e Hapur si në përputhshmëri me Procesin e Berlinit dhe integrimin në BE, të tjerë e panë atë si një zëvendësim të mangët për mekanizmat e mbikëqyrur nga BE.

Përtej Vizionit të Verërave, ekzistojnë pak informacione konkrete që mund të mblidhen lidhur me Ballkanin e Hapur dhe është e paqartë se çka e dallon Ballkanin e Hapur nga nismat e tjera që synojnë qëllimin e përbashkët të bashkëpunimit rajonal. Nisma erdhi si rezultat i zhgënjimit të kuptueshëm nga ritmi i ngadaltë i procesit të integrimit në BE dhe një dëshirë e Vučić, Ramës dhe Kovačevski për të vepruar sipas rregullave të tyre, pa mbikëqyrjen e BE.Ka pakënaqësi të konsiderueshme me udhëheqësinë e BE dhe procesin e tanishëm të anëtarësimit në rajon. Pas ndryshimit të emrit për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë, negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut ngecën për shkak të vetos bullgare lidhur me çështjet kontestuese historike dhe gjuhësore. Në rastin e Kosovës, liberalizimi i vizave hyri në fuqi në fillim të vitit 2024, por jo pa vonesat e tej zgjatura pavarësisht se Kosova i kishte përmbushur kaherë kriteret e kërkuara.

Gjithsesi, themeluesit e Ballkanit të Hapur nuk ofruan një qasje më transparente dhe funksionale për përmbushjen e ndonjërit prej synimeve të përbashkëta të këtyre nismave. Siç dëshmon mosmarrëveshja publike midis Ramës dhe Vučić në korrik 2023 rreth asaj nëse Ballkani Perëndimor ekziston ende apo jo, nuk është e qartë nëse ka një qëndrim të përbashkët lidhur me atë se çka është kjo nismë, ndërmjet tre anëtarëve të tij.

Deri më sot, me përjashtim të Festivalit të Vizionit të Verërave, i cili tashmë ka lajmëruar edicionin e radhës, ka pak dëshmi se Ballkani i Hapur ekziston në praktikë dhe në vendime konkrete. Duket se ka qenë një nismë kryesisht simbolike — një përzierje takimesh dhe një vegim marrëveshjesh të pazbatuara nën hijen e Procesit të Berlinit.

PËR AUTORIN/EN

Ellie Destani është lektore e gjuhës angleze në K2.0. Ka përfunduar studimet e nivelit bachelor në Gjuhë Angleze dhe Filozofi, si dhe ato të nivelit master për Letërsi Angleze në Universitetin e Sussex.

Të fundit nga rubrika