Samiti i G7-së zhvillohet nga 26-28 qershor nën presidencën gjermane, si kryesuese e radhës. Po me çfarë merret ky forum jozyrtar, por me kaq peshë?
“Grupi Shtatë” është një grup që përfshin Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Ky grup, i njohur dikur si “G8-ta” kishte si pjesë të saj edhe Rusinë nga viti 1998 deri më 2014, mirëpo Rusia u përjashtua për shkak të aneksimit të Krimesë.
Duhet sqaruar se nuk ka të bëjë me një organizatë ndërkombëtare. “G7” është një forum jozyrtar, i cili nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme, por pajtohen për qëndrime dhe iniciativa të përbashkëta në fusha të ndryshme të politikës.
Ndër të tjera, të gjitha çështjet me rëndësi globale janë në axhendën e G7-së përgjatë takimeve të tyre. Në vitet e fundit, temat kryesore kanë qenë ekonomia botërore, politika e jashtme dhe e sigurisë, zhvillimi dhe migrimi si dhe ndryshimet klimatike.
Përmbajtja e samitit përcaktohet nga nikoqiri. Gjermania mban presidencën e “G7″ gjatë këtij viti. Samiti i radhës do të zhvillohet në Kështjellën”Elmau” në Bavarinë jugore dhe ka temën “Përparimet drejt një botë të drejtë”.
Fillimisht, ka dominuar tema e luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe përshpejtimi i tranzicionit botëror të energjisë. Por, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, klima ka kaluar në plan të dytë. Kancelari Scholz ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të marrë pjesë virtualisht në samitin e “G7”.
Megjithëse filloi si një takim vjetor, tashmë “G7” është shndërruar në një bashkëpunim të përhershëm në nivel të ministrave dhe zyrtarëve të lartë të qeverive.
Komisioni Evropian ka statusin e vëzhguesit, ndërsa përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE-së marrin pjesë në samitet e G7.
Vendet në zhvillim janë ftuar shpesh si mysafirë. Në vitin 2022 kanë marrë pjesë Argjentina, India, Indonezia, Senegali dhe Afrika e Jugut në këto takime.
Popullsia e vendeve të G7-së përbën vetëm rreth 10 përqind të popullsisë së botës, por gjeneron rreth 45 përqind të të ardhurave bruto globale. Pra, G7-ta janë vendet veçanërisht të pasura.
Kritika më e madhe ndaj këtij forumi është se interesat e tyre dominojnë edhe mbi të gjitha, se Jugut i kushtohet shumë pak vëmendje. Një kërkesë intenzive e organizatave të shoqërisë civile është që “G7” të luftojë më intensivisht shkaqet e urisë dhe kërkojnë të ndajë më shumë para për këtë luftë. Në vitin 2015, “G7” vendosi si synim eliminimin e urisë për 500 milionë njerëz deri në vitin 2030.
Për kostot e këtij samiti, siguron qeveria federale dhe shteti i Bavarisë. Kostot vetëm për sigurinë llogariten në 180 milionë euro.