Shteti ende pa vendim në lidhje me përdorimin e “vilës së Radojçiqit” për nevoja policore

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka ngritur propozimin për përdorimin e vilës së Milan Radojçiqit nga Policia e Kosovës. Ekspert të sigurisë e shohin këtë vendim si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të Policisë dhe mbikëqyrjen e zonës së Liqenit të Ujmanit, ndërsa juristët theksojnë që ky është një proces ligjor dhe nuk duhet të perceptohet si vendim politik

Vila e Milan Radoiçiq, pamje e publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, çështja e sigurisë në zonën kufitare po bëhet gjithnjë e më urgjente dhe e rëndësishme.

Në këtë kontekst, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është angazhuar për të përdorur vilën e konfiskuar të Milan Radojçiqit, duke i bërë kërkesë Ministrisë së Bujqësisë që prona e tij të përdoret nga Policia e Kosovës.

Ndaj kësaj kërkese nuk është marrë ende një vendim, por Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Portalin Dukagjinin ka treguar se Qeveria është duke koordinuar veprimet institucionale, me një qëllim të qartë: përdorimi i pronave të ndërtuara ilegalisht në pronë të shtetit për qëllime të rendit dhe sigurisë.

“Si Qeveri po koordinojmë veprimet institucionale me qëllim që pronat e ndërtuara ilegalisht në pronë të shtetit, përkatësisht të Agjencisë Pyjore të Kosovës e në këtë rast konkret Vila e Radojçiqit, të vihet në funksion të organeve të rendit dhe sigurisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Ministria e Bujqësisë për Portalin Dukagjini.

Portali Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri më tani.

Ndërsa, ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, për Portalin Dukagjini ka folur mbi çështjen e pronës së tokës ku është ndërtuar vila e Milan Radojçiqit dhe përdorimin e saj të mundshëm për qëllime të sigurisë në zonën kufitare të Kosovës.

Vllasi ka bërë të qartë se kjo tokë është pronë shtetërore dhe është përdorur për nevojat e liqenit të Ujmanit.

Ai ka theksuar se toka u shpronësua në vitin 1970-1971 për shfrytëzim publik dhe me kompensim të pronarëve. Siç ka thënë ai, pronarët e tokave që e kanë përdorur për ndërtime private janë kompensuar me toka të tjera ose me kompensim monetar në territorin e komunës së Mitrovicës dhe Zubin Potokut.

Vllasi gjithashtu ka bërë të qartë se vila e Radojçiqit është ndërtuar pa leje në tokën shtetërore.

“Ashtu që toka që e mbulon sot uji i liqenit të Ujmanit dhe përreth një apo dy kilometra nuk ka as nuk ka pasur kurrë kurrfarë leje për ndërtime private. Komuna e Zubin Potokut nuk ka mundur as Shërbimi i Urbanizmit me dhënë leje, ashtu si ajo vila e Radojçiqit është pa leje dhe është në tokë shtetërore, jokomunale”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se vendimi për përdorimin e kësaj toke është një çështje që i përket Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë për Planifikim Hapësinorë.

“Çfarëdo që vendos Ministria apo Qeveria për mënyrën e shfrytëzimit të asaj vile, në asnjë mënyrë nuk preken të drejtat pronësore të Milan Radojçiqit sepse është ndërtuar pa leje aty sepse nuk ka mundur të marrë leje prej askujt me ndërtu në pronë shtetërore, e cila është para më shumë se 50 vjetëve është marrë prej pronarëve për nevoja të resursit të Gazivodës të Ujmanit”, ka deklaruar Vllasi.

Vila e Radojçiqit, “një hap drejt sigurisë më të fortë në zonën kufitare”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vendimin që vila e Radojçiqit duhet t’i kalojë në shfrytëzim Policisë së Kosovës si bazë e Policisë e ka vlerësuar si një hap të madh në forcimin e kapaciteteve të Policisë dhe përmirësimin e mbikëqyrjes së zonës së Liqenit të Ujmanit.

Sipas Shalës, marrja e vendimit nga niveli politik për të marrë në shfrytëzim/pronësi objektin e ndërtuar  kundërligjshëm në tokën e Agjencionit të Pylltarisë së Kosovës për nevoja policore është një hap tejet pozitiv për të pasur një mbulueshmëri më të lehtë për njësinë kufitare që operon në këtë zonë të ndjeshme.

Shala ka theksuar se Policia e Kosovës ka pasur nevojë për një bazë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për të koordinuar operacionet dhe menaxhuar sigurinë në këtë zonë të rëndësishme të vendit.

“Policia e Kosovës deri më tani mbikëqyrjen e pjesës se liqenit e ka bërë përmes ekipeve mobile dhe nga pjesa e ajrit dhe ky vendim do të rrisë dukshëm atë pjesë, por edhe ka një simbolik që çdo aset kriminal do të jetë në shfrytëzim të organeve të rendit për të mirën e përgjithshme”, ka deklaruar Shala.

Ai gjithashtu ka thënë se ky vendim ka një kuptim simbolik, duke dërguar një mesazh se çdo aset kriminal do të jetë në shfrytëzim të organeve të rendit për të siguruar mirëqenien e përgjithshme.

Ndër të tjera, Shala ka shtuar se faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë rëndësinë e këtij vendimi dhe se nuk do të ketë ndërhyrje në përcaktimin e parametrave të sigurisë së vendit nga ndërkombëtarët.

Ndërkohë, njohësi tjetër i sigurisë, Nuredin Ibishi, gjithashtu ka theksuar se vendimi për përdorimin e pronës së Radojçiqit për qëllime të sigurisë është një çështje ligjore dhe nuk duhet të perceptohet si një vendim politik.

Ai ka shpjeguar se ky proces është në fazën e procedurës gjyqësore dhe ka të bëjë me ligjin për konfiskimin e pasurisë si pasojë e aktiviteteve kriminale apo, në këtë rast, aktiviteteve terroriste.

“Vendimi mbi pronën do të varet nga prokurori dhe gjykatësi dhe nuk është përgjegjësi e autoriteteve politike”, ka deklaruar ai.

Ibishi ka thënë se situata në veri është nën kontroll dhe nuk ka nevojë për veprime të jashtëzakonshme, pasi sulmi terrorist i 24 shtatorit ishte një tentativ për të nisur një luftë hibride në këtë zonë.

Me reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës, grupi terrorist u shpartallua, dhe sipas tij, situata e sigurisë tashmë është rikthyer plotësisht nën kontroll.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika