Mjafton që në rrjete sociale të shkruhet fjala “masazh” dhe opsionet që ofrohen janë të panumërta.
Aty shfaqen fotografi të vajzave, në të cilat gjenden edhe numra telefoni.
Televizioni Dukagjini ka thirrur disa prej numrave kontaktues të ofruar. Në telefonatë tregohet çmimi dhe koha për shërbimet e ofruara. Por personi që hap telefonin thotë se shërbimi i vetëm që kryhet aty është masazhi.
Biseda me qendrën e mesazhit
“e hapim prej dyve deri në 12 të natës….
Pyetja: e pash qetu Tropoja që po shkrun, a mundem te qekjo.
Pergjigjia: Po.
Pyetja: e a ka veç masazh a edhe shërbime tjera.
Pergjigjia: Veç masazh
Mbyllet telefoni…””
Një qendër tjetër masazhi tregon çmimin dhe kohëzgjatjen e shërbimit.
“E pash këtu në Instagram për masazh, kur e qelni e ku e keni lokacionin a?”
Qendra e mesazhit ka thënë se “Unë tanë ditën punoj deri në 12 në mbrëmje, jam në Prishtinë te **** **** . Një orë është 30 euro. Gjysmë ore 20 euro. Veç kallxom para dy ore se muj me pas naj termin”.
Por, për televizionin ka folur një klient i këtyre qendrave i cili ka kërkuar që t’i fshihet identiteti dhe sipas tij, aty ofrohen edhe shërbime seksuale, pavarësisht që fillimisht kishin thënë që aty bëhet vetëm masazh.
Klienti anonim ka thënë se “Unë faqen e kam gjetë në snapchat, aty kam hy, kam kontaku. Më është paraqitur dikush edhe m’kanë thanë që është qendër për masazh jo diçka më shumë. Aty kam ra në kontakt edhe kam shku”.
Por, ndryshe kishte ndodhur kur ka arritur në atë qendër.
Klienti anonim ka thënë tutje se “Pasi që kam bërë pagesën në recepcion, jom hi brenda e mu ka paraqitë ajo çika. Në shikim të parë nuk më është dokë masazhere profesionale. Tani jom ulë, jom shtri, ka fillu me një masazh të lehtë. Pastaj ajo pranoi qe me vazhdu ndryshe. E kom pagu 20 euro. Si njerëz jemi marrë vesh”.
Në rrjete sociale, vajzat kanë edhe nofka të bashkëngjitur me një numër telefoni, përmes të cilit thuhet që mund të caktohet edhe termini.
Një prej këtyre qendrave të masazhit, figuron të jetë e regjistruar edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, por numri që figuron të jetë i pronarit, nuk ka qenë i qasshëm.
Këtë javë, Policia e Kosovës ka arrestuar tri gra, nën dyshimin se të njëjtat kishin pranuar para për shërbime seksuale.
E, gjithë ngjarja dyshohet të këtë ndodhur në një sallon masazhi në Gjilan, ku mes të arrestuarave, ka qenë edhe pronarja e biznesit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës, kishte mbyllur 58 qendra të tilla, pas inspektimeve që ishin bërë në bashkëpunim me inspektorët, ndërsa nën dyshimin për mundësim, detyrim në prostitucion ose ofrim të lokaleve për këtë qëllim, ishin arrestuar 21 pesona.