Reuters
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e nxiti një stuhi kritikash nga Shtëpia e Bardhë dhe nga zyrtarët e lartë perëndimorë, kur tha se ai nuk do t’i mbronte aleatët e NATO-s, të cilët dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen dhe se do ta nxiste Rusinë t’i sulmojë ata.
Më poshtë mund t’i lexoni përgjigjet e disa prej pyetjeve kyçe rreth NATO-s, fjalëve të Trumpit – i cili po garon për një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë në nëntor dhe po prin ndaj presidentit Joe Biden në disa sondazhe – dhe ndërlikimet e tyre.
Çfarë është NATO-ja?
E themeluar më 1949 për ta kundërshtuar Bashkimin Sovjetik kur po rriteshin tensionet në Luftën e Ftohtë, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) është aleancë politike dhe ushtarake e vendeve nga Amerika Veriore dhe nga Evropa.
Gjatë Luftës së Ftohtë, përqendrimi kryesor i NATO-s ishte ta mbronte Evropën Perëndimore nga Bashkimi Sovjetik. Pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, NATO-ja u zgjerua për t’i pranuar vendet e ish-bllokut komunist nga Evropa Qendrore dhe Lindore.
Anëtarët e NATO-s shtrihen nga vende të mëdha si, Britani e Madhe, Franca, Gjermania dhe Turqia, deri te vendet e vogla si, Islanda dhe Mali i Zi.
Çfarë tha Trumpi për NATO-n?
Si president amerikan nga viti 2017 deri më 2021, Trumpi shpesh i kritikonte NATO-n dhe anëtarët e saj si, Gjermaninë, duke i akuzuar se nuk po paguanin mjaftueshëm për mbrojtjen e vet dhe se po mbështeteshin në Uashingtonin për t’i mbrojtur.
Ai e vuri në dyshim haptazi parimin e mbrojtjes së përbashkët.
Edhe administratat e tjera amerikane i kanë akuzuar evropianët për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje, por me ton më të butë.
Kritikat e Trumpit arritën në një shkallë tjetër gjatë një fushate zgjedhore të shtunën në Karolinën e Jugut, kur ai kujtoi, siç tha, një bisedë me “një president të një vendi të madh”.
“Epo, zotëri, nëse ne nuk paguajmë dhe na sulmon Rusia – a do të na mbroni ju?”, Trumpi e citoi liderin anonim të ketë thënë.
“Unë i thashë: ‘Ju nuk keni paguar? Ju jeni fajtor?’ Ndërsa, ai më tha: ‘Po, të themi se ndodhi ajo.’ Jo, unë nuk do t’ju mbroja juve. Në fakt, unë do t’i nxisja ata [Rusinë] të bëjnë çfarë dreqin duan. Ju duhet të paguani”, tha Trump.
Si financohet NATO-ja?
Trumpi shpesh i ka akuzuar anëtarët e NATO-s se nuk i paguajnë borxhet e tyre, duke krijuar një përshtypje se aleanca ushtarake është sikur një klub me anëtarësim me pagesë.
Por, NATO-ja vepron ndryshe. Ajo ka fonde të përbashkëta, në të cilat japin kontribut të gjithë anëtarët. Por, shumica dërrmuese e fuqisë së saj vjen nga shpenzimet e brendshme të vendeve anëtare për mbrojtjen – për t’i mirëmbajtur forcat dhe për të blerë armët të cilat mund të përdoren nga NATO-ja.
Megjithatë, anëtarët e NATO-s janë zotuar se do t’i shpenzojnë së paku 2 për qind nga bruto produkti i tyre i brendshëm (GDP) çdo vit për mbrojtjen – dhe shumica e tyre nuk e arritën këtë synim vitin e kaluar.
Sa anëtarë të NATO-s e arritën synimin për shpenzime në mbrojtje?
Sipas vlerësimeve të NATO-s nga korriku i vitit të kaluar, 11 vende anëtare pritej ta arrinin synimin e 2 përqindëshit më 2023. Ato ishin: Polonia, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Estonia, Lituania, Finlanda, Rumania, Hungaria, Letonia, Britani e Madhe dhe Sllovakia.
Gjermania, e cila ka ndër ekonomitë më të mira në Evropë, shpenzoi rreth 1.75 për qind të GDP-së për mbrojtjen. Por, zyrtarët gjermanë kanë thënë se presin se do ta arrijnë cakun prej 2 për qind këtë vit, kryesisht falë një fondi të veçantë prej 1 miliard eurove të themeluar si përgjigje ndaj luftës ruse në Ukrainë.
Vendet që shpenzuan më së paku nga GDP-ja e brendshme ishin: Spanja, Belgjika dhe Luksemburgu, sipas të dhënave të NATO-s.
Çfarë është neni 5 i NATO-s?
Në nenin 5 të traktatit të themelimit, anëtarët e NATO-s deklarojnë se një sulm i armatosur kundër njërit apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën Veriore “do të cilësohet sulm kundër të gjithëve”.
Ata u pajtuan se do t’i ndihmonin “palën apo palët e sulmuara duke ndërmarrë menjëherë, veçmas apo së bashku me palët e tjera, veprime të tilla siç e shohin të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcave të armatosura”.
Megjithatë, neni 5 nuk e përmend ndonjë përkushtim për përgjigje automatike ushtarake për ta ndihmuar një aleat që është duke u sulmuar. Kjo nënkupton se fuqia e nenit 5 varet nga deklaratat e qarta nga liderët politikë se ai do të mbështet nga veprimi.
Kjo është ndër arsyet pse deklaratat e Trump-it shkaktuan stuhi të tillë, posaçërisht pasi ai i bëri ato në një kohë kur në NATO janë të alarmuar nga qëllimet e Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës nga ajo.
Duke lënë të kuptohet se ai nuk do të ndërmerrte veprime ushtarake për ta mbrojtur një aleat, Trump-i i minoi supozimet të cilat i japin pushtet nenit 5.
“Çfarëdo sugjerimi se aleatët nuk do ta mbrojnë njëri-tjetrin e minon tërë sigurinë tonë, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, si dhe i vë në rrezik të shtuar ushtarët amerikanë dhe evropianë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg më 11 shkurt.