Chollet: Duhen vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka folur për pritshmëritë e tij gjatë vizitës që së shpejti do të bëjë në Kosovë. Ndërsa ka theksuar se fokusi qëndron te dialogu, të cilin, sipas tij “Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht”. Për asociacionin Chollet ka thënë se është prioritet për SHBA-në, por duhen vendime të vështira nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka folur për pritshmëritë gjatë vizitës që do të bëjë së shpejti në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë javëve të fundit ka pasur fatkeqësisht një rritje të tensioneve mes tyre. Është një lajm i mirë që në 48 orët e fundit kemi parë të hiqen barrikada, kemi parë pikat kufitare të rihapen mes Kosovës dhe Serbisë. Janë lajme të mira. Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqendruar te kjo krizë, por te dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon”, ka thënë Chollet.

I pyetur për çështjen e Asociacionit, Chollet ka thënë se është një prioritet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është një prioritet për ne, Shtetet e Bashkuara. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”.

Ai ka folur lidhur me propozimin franko-gjerman, për të cilin ka thënë se është “në një drejtim të arritshëm”, por se do të dojë shumë punë dhe vendime të vështira nga udhëheqësit e të dy vendeve.

“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, i pyetur se cilat janë hapat që Kosova duhet të ndërmarrë për të arritur njohjen, Chollet ka deklaruar se duhet marrë vendime që nuk shkaktojnë kriza, por sipas tij, çfarëdo që ata do të bëjnë do të jetë siguruese që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim.

“Sërish, duam që të dyja palët të bisedojnë. Janë bërë disa javë tashmë që dy palët kanë pasur mundësinë të takohen së bashku dhe ne jemi atje të pranishëm, duke punuar së bashku me kolegët tanë të BE-së në përpjekje për ta lehtësuar këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë. Pra ka shumë gjëra për të biseduar. Kemi shumë punë për të bërë. Por, e shohim drejtimin përpara dhe do të bëjmë çfarë të mundemi për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim”, ka thënë ndër të tjera ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika