Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, është takuar me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet ka thënë se kanë diskutuar për angazhimin e përbashkët për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe mbështetjen e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.
Great meeting with EU Special Representative @MiroslavLajcak about shared commitment to deescalating the situation in Kosovo and Serbia and supporting the Western Balkans’ path toward EU integration. pic.twitter.com/qzA1HEdaF7
— Derek Chollet (@CounselorDOS) June 22, 2023
“Takim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak, për angazhimin e përbashkët për depërshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe Serbi dhe mbështetjen e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”, ka shkruar Chollet.
Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji.
Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe thellë brenda territorit të Kosovës.