Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai nëpërmjet një postimi në Twitter ka thënë se pas kësaj marrëveshjeje Kosova është më afër se kurrë me të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian.
“Kam uruar kryeministrin Kurti sot për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE. Kosova tani më afër se kurrë me të ardhmen e saj në BE”, ka thënë ai.
Kujtojmë se gjatë ditës, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Chollet, dhe ka thënë se marrëveshja bazë dhe aneksi, sipas tekstit dhe frymës, tani duhet të ndryshojë realitetin në terren.
“Marrëveshja bazë dhe aneksi, sipas tekstit dhe frymës, tani duhet të ndryshojë realitetin në terren”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Shefi i ekzekutivit e ka falënderuar Chollet për mbështetjen po ashtu edhe për rolin e ShBA-së.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.
Kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë rënë dakord për këtë aneks gjatë takimit në Ohër, ndërsa vetë marrëveshjen, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e kanë pranuar në parim gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se, pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.
Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.
Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do ta monitorojnë “me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”.
Shumë shtete të BE-së e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes dhe që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.