Me një paraqitje të jashtëzakonshme, Shqipëria ka fituar ndeshjen ndaj Çekisë.
Kjo fitore e ndriçon rrugën e tyre drejt kualifikimit në Euro 2024, duke e bërë Shqipërinë të ëndërrojë për një shfaqje të mrekullueshme në këtë turne të rëndësishëm.
“Kuqezinjtë” triumfuan me një rezultat bindës 3:0 në ndeshjen e Grupit E, e cila u zhvillua në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Me një gol të shënuar në pjesën e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë, Shqipëria siguroi një fitore e cila i vendosi në krye të grupit me 13 pikë.
Jasir Asani (9’) dhe Taulant Seferi (51’, 73’) shënuan golat e fitores për “Kuqezinjtë”.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar një video nga festa e futbollistëve pas ndeshjes, bashkë me tifozët, teksa në sfond dëgjohet kënga “Mora Fjalë”.
Futbollistët gjithashtu kishin plisat në kokat e tyre.
“3-0! Fitorja më e bukur! Faleminderit çuna!”, shkroi faqja e FSHF-së krahas kësaj videoje.
Ndërsa, muajin tjetër, Shqipëria luan në udhëtim me Moldavinë dhe në shtëpi me Ishujt Faroe.