Cilat janë masat ndëshkuese ndaj shtatë të dyshuarve të grupit “Albkings”?

Shtatë personat janë arrestuar nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin se kanë zhvilluar veprimtari të “kundërligjshme” me administrimin e grupit “Albkings”. Ku ky i fundit ishte krijuar për intimidim, shqetësim e ngacmim të grave e të vajzave në platformën Telegram. “Dënimet me gjobë dhe me burgim efektiv 3-5 vite pritet të jenë si masa ndëshkuese ndaj shtatë të dyshuarve”, u shpreh avokatja Leonora Dervishaj-Pacolli

Fotografi ilustruese

Grupi “Albkings” i krijuar në rrjetin social “Telegram” për shpërndarjen e fotografive, kontakteve e videove pa autorizim, sipas avokates Leonora Dervishaj-Pacolli kanë zhvilluar veprime të “kundërligjshme” teksa ka shtuar se veprimet e tilla janë të ndaluara dhe të sanksionuara nga ligjet e Kosovës.

Avokatja Leonora Dervishaj-Pacolli ka thënë se dënimet për veprat penale nga veprimtaria e zhvilluar nga ky grup pritet të jenë me gjobë por edhe me burg efektiv 3-5 vite burgim.

“Për këto vepra penale janë të parapara dënimet me gjobë si dhe me burg efektiv 3- 5 vite, Gjykata mund të shqiptoj dënim varësisht nga rrethanat lehtësuese apo rënduese, ndërsa në raport me të miturit ligjvënësi ka paraparë dënime më të rënda ku personat kryerës të veprave penale të kësaj natyre ndaj viktimave të mitur mund të shqiptohet dënimi deri në 15 vite”, deklaroi Dervishaj-Pacolli.

Veprimet e grupit ‘Albkings’ me postimet e tyre duke shpërndarë fotografi, video pa autorizim në rrjetin social ‘Telegram’, padyshim që janë veprime të kundërligjshme pasi që me ligjet e Republikës së Kosovës veprime të tilla janë të ndaluara dhe të sanksionuara. E që sipas burimeve ky grup përmban edhe materiale pornografike të të miturve, ku ky veprim është i sanksionueshme me Kodin Penale të Republikës së Kosovës. Mbrojtja e të dhënave mbrohet edhe me ligj të veçantë e dënueshme me Kodin Penale, siç është vepra penale Keqpërdorimi i fëmijëve në Pornografi nga neni 232 të Kodit Penal”, shtoi Pacolli.

Pacolli shtoi se veprimet e pjesëtarëve të grupit “Albkings” janë të ndaluara edhe me ligjin për krimet kibernetike.

Hapat e parë të këtij grupit sipas avokates Dervishaj-Pacolli për publikimin e fotografive dhe videove janë marrë si “shenjë hakmarrje” nga ish-të dashurit për shkëputjen e lidhjes duke i ngacmuar dhe shantazhuar “viktimat” me kërkesën e ofrimit të aktit seksual ose në të kundërtën ato fotografi/video publikohen.

Avokatja ka sqaruar edhe termin e veprës penale “ngacmim” dhe atij të “ngacmimit seksual” në bazë të kornizave ligjore.

Vepra penale e Ngacmimit Kryhet ku kushdo që përfshihet në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme ose komunikon me qëllim të ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë së personit tjetër ose fëmijëve të tij, familjes, të afërmve ose kushdo që vë tjetrin nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes së personit tjetër ose fëmijëve të tij, familjes, të afërmve apo kafshëve shtëpiake; dhe gjatë këtyre veprimeve vë atë person nën frikë të arsyeshme nga vdekja, lëndimi i rëndë trupor, dëmtimi i rëndë i pasurisë ose nën shqetësim të madh emocional kryen veprën penale të ngacmimit.

Ndërsa Kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore kryen veprën penale të Ngacmimit seksual ku  Ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”, tha Dervishaj-Pacolli.

Avokatja, Leonora Dervishaj-Pacolli

“Hej e bukuroshe, sa e ke çmimin për një natë?” ishte mesazhi që i erdhi në telefon dhe nga aty tha që Thaçi-Mehmeti e ka kuptuar se numri i saj ishte shpërndarë pa miratimin e saj tek grupi “Albkings”.

Ardiana Thaçi-Mehmeti, gazetare në Televizionin Klan Kosova ka rrëfyer përvojën e saj se si ajo ka qenë cak nga anëtarët e “Albkings-ave” dhe për mos heshtjen e saj, duke raportuar  vazhdimisht përmes videove në rrjetet sociale, thirrjet dhe shqetësimet që ajo ka marrë vazhdimisht.

“Më 6 maj 2024, u zgjova në mengjes për të gjetur mbi 60 telefonata të humbura në telefonin tim. Menjëherë mendova se diçka e keqe i kishte ndodhur prindërve të mi. Kur hapa telefonin, pash një breshëri mesazhesh të frikshme nga individë të panjohur, ku njëri pyeste: “Hej e bukuroshe, sa e ke çmimin për një natë?” Kjo më bëri të kuptoj se numri imi personal ishte shpërndarë pa pëlqimin tim në grupin Albkings. Ngjarja ndodhi dhjetë ditë pasi kishim transmetuar një seri episodash në emisionin, KIKS Kosova, ku prezantuam aktivitetet e paligjshme të këtij grupi”, shtoi Thaçi-Mehmeti.

Publikimi i numrit personal të gazetares Thaçi-Mehmeti në shenjë hakmarrjeje nga Albkings, jo vetëm që e rrezikon sigurinë e saj personale, por edhe shërben si tentim për ta frikësuar dhe heshtur atë.

“Kam denoncuar çdo individ që më ka thirrur ose me ka dërgaur mesazh me përmbajtje  denigrues. Policia më këshilloi në mënyrë joformale të deaktivizoja llogaritë e mia të mediave sociale dhe të ndryshoja numrin e telefonit, normalisht unë nuk e bëra pasi nuk doja të dorëzohesha. Dhe kam vendosur ti shkoj deri një fund kësaj çështje. Çështja u dërgua për shqyrtim te Njësia e Krimit Kibernetik të Policisë së Kosovës dhe aktualish pas arrestim të 7 personave, 4 nga të cilët janë njerëz që me kishin shqetësuar mua. Lufta e Albikingsit kundër meje ka vazhduar për javë të tëra. Madje një javë pasi unë dola publikisht ata bënë një njoftim në grupet e tyre duke kërkuar informacione personale lidhur me anëtarët e familjes sime. Ky ka qenë momenti i parë në gjithë karrieren time kur ndjeva frikë për sigurinë jo timen por të familjarëve të mi. Megjithatë, vendosa të vazhdoj me rastin, për hir të të gjitha mesazheve që kam marrë nga gratë që kishin vuajtur në heshtje”, tha ajo.

Gazetarja, Ardiana Thaqi

Gazetarja Donjeta Islami ka shpalosur detaje rreth grupit famëkeq “Albkings”. Ajo në emisionin “Rreth e Rrotull” në Televizionin Dukagjini ka thënë se në këtë grup promovohej prostitucioni dhe pedofilia.

“Jemi duke folur për një grup në të cilin promovohej prostitucioni e pedofilia, ku përdoreshin fotografi të vajzave dhe grave, madje ju cekej edhe një çmim për të kryer shërbime seksuale. Ka pasur raste kur janë publikuar edhe persona të mitur teksa kryenin akte seksuale, pastaj kërcënonin thonin kaq para nëse do ma ta fshi postimin”, tha ajo.

Gazetarja tregoi se si iu shpërndaheshin të dhënat personale, dhe kërkesat që bënin anëtarët e këtij grupi.

“Ka pasur kërkesa të ndryshime të tipit, a ka ndonjë prej Shkupit apo tjetër. Aty publikoheshin të dhënat e tyre, rrjetet e tyre sociale, fotografi ndoshta me bashkëshortë, me familje me fëmijë shpërndaheshin pa kurrfarë pengese”, u shpreh gazetarja.

“Fillimisht numri i anëtarëve ka qenë 80 mijë, dhe për fat të keq pas publikimit të shkrimit numri ka arritur numër marramendës afro 150 mijë mijë persona. Dhe, i kemi pasur dilemat si Insajderi se a duhet të dalim me emrin e grupit, pra “Albkings” apo jo, por për të pasur ndikim kemi vendosur ta bëjmë publik edhe emrin dhe me atë çka pasojë, gjë që nuk e kemi pritur e pamë që kemi të bëjmë me një grup manjakësh”, deklaroi ajo.

Gazetarja ka konfirmuar se Policia e Kosovës i kishte kërkuar që për një periudhë mos ta publikonte lajmin, dhe se si erdhën deri tek vendimi që lajmi duhej të publikohej.

“Ne kishim informacion qysh herët për ekzistencën e këtij grupi por ka qenë Policia e Kosovës, ajo me të cilën unë kam qenë vazhdimisht në kontakt, dhe na ishte kërkuar që njëherë për njëherë të mos publikojmë diçka. Kemi pritur për një periudhë rreth një muaj dhe nuk kemi publikuar asgjë dhe përderisa nuk kemi parë që po ndërmerret diçka konkrete, e kemi marrë vendimin që ta publikojmë lajmi dhe t’i bëjmë të ditura krejt këto të bëma denigruese dhe materiale diskredituese të grave dhe vajzave që publikoheshin në këtë grup”, potencoi ajo në Dukagjini.

Donjeta Islami

Lidhur me këtë grup, ka shpalosur detaje “shokuese” redaktorja e Gazetës Insajderi, Valmira Vranovci, ajo tregoi një rast se si ishte promovuar edhe pedofilia në grupin Albkings.

“Mandej ka qenë edhe një bebe tri vjet me një grua të moshuar dmth ajo gruaja e moshuar e zhvesh beben edhe bon diçka, nuk di ka i kanë marrë ato video. Ndërkohë anëtarët e grupit e përkrahnin veprimin”, deklaroi Vranovci.

“Na kanë qit fotot në grup, na kanë zhvesh me montazhe. Na kanë thënë kemi me ardhë në zyre me iu çu në ajer”, tha ajo.

Valmira Vranovci

Ndryshe, “Albkings” ka qenë një grup ku ka mbledhur mbi 200 mijë persona në “Telegram”, porpas disa muajsh ekzistence është mbyllur përfundimisht. Shtatë persona janë arrestuar,  ku tre prej tyre janë administratorët kryesor të grupit.

Grupi në fjalë cënonte privatësinë e vajzave dhe grave, pasi në të shpërndaheshin foto të tyre, si dhe të dhëna personale si numri i telefonit, vendbanimi e llogaritë në rrjete sociale. Po ashtu në grup shpërndaheshin pamje gjatë akteve seksuale, ku shumica e të cilave  dyshohet se ishin xhiruar pa dijeninë e tyre.

Me 30 maj, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi dhe Zëvendësprokurorja, Erza Bajrami-Kastrati kanë mbajtur konferencë për media dhe kanë njoftuar se grupi “Albkings” është mbyllur përfundimisht dhe se janë arrestuar shtatë persona.

Gashi tha se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë dhe arrestoj të gjithë kryerësit e veprës së penale ‘vjedhjes së identitetit’.

“Falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët kemi arritur që këtë rast delikatë të arrestojmë brenda një afati të shkurt kohor të dyshuarit”, tha Gashi.

Ndërkaq, zëvendësprokurorja Erza Bajrami-Kastrati bëri të ditur se ky grup është mbyllur përfundimisht.

Bajrami-Kastrati ka bërë të ditur se më 16 prill 2024 është lëshuar aktvendimi për ndalim e të pandehurit E.N njërin nga administratorët e këtij grupi. Brenda afatit ligjor është bërë kërkesa për caktimin e paraburgimit dhe të njëjtit me vendim nga gjykata i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

“Më 23 prill 2024 është arrestuar personi i dytë i gjinisë femërore E.S e cila duke qenë njëra nga administratorët e grupit në fjalë dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje ‘vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’. Edhe ndaj kësaj është paraqitur masa e paraburgimit që i është vazhduar edhe për dy muaj me vendim të gjykatës”, tha Bajrami-Kastrati.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur lajmin që grupi famëkeq që shpërndante fotografi intime dhe të dhëna personale “Albkings” është mbyllur përfundimisht.

Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se “Albkings” mund të jetë një lajm i pasdites apo mbrëmjeve por për shumë vajza dhe gra, viktima të këtij grupi do të mbetet plagë dhe traumë jetësore.

“Mirëpres angazhimin institucional të policisë dhe prokurorisë në mbylljen dhe arrestimin e personave që administronin grupin famëkeq të telegramit “Albkings”.

Me 31 maj 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka demantuar lajmin se është rihapur grupi “Albkings”.

Prokuroria u ka bërë thirrje mediave që të kenë “parasysh vërtetësinë e lajmit” para publikimit.

“Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Grupi “Albkings” u përdor nga të dyshuarit për intimidim, shqetësim e ngacmim të grave e të vajzave në platformën Telegram.

 

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika