Përgjatë vitit 2023, mediat sociale janë vërshuar nga shumë këshilla rreth stileve të jetesës e ushqimeve që kanë ndarë influencuesit përmes fotografive e videove të ndryshme.
Por, vetëm disa prej tyre janë cilësuar si “të mira” prej ekspertëve të çështjeve shëndetësore.
Ata kanë rekomanduar se cilat stile të jetesës mund të ndiqen edhe në vitin 2024 e cilat duhet të ndërpriten, shkruan CBS.
Stilet e jetesës që duhet ndjekur
Ushtrimet e rehatshme
Ushtrimet e rehatshme fokusohen më shumë në të bërit lëvizje duke mos ushtruar presion të madh, si fizik edhe psikologjik, mbi trupin dhe mendjen. Kjo metodë ka krijuar një “bashkëpunim të mirë” në mes të ushtrimeve dhe njeriut.
Morit Summers, trajnere personale dhe themeluese e “Form Fitness Brooklyn”, ka thënë se ushtrimet e rehatshme janë një stil i mirë i jetës dhe se i praktikon edhe vetë.
“Njerëzit duhet të lëvizin dhe nëse e bëjnë atë nga rehatia e shtëpive të tyre me veshjet e tyre komode, atëherë është shumë mirë! Jeta jonë është vërtet stresuese dhe nuk ka asnjë arsye që të gjithë të ndihen kështu, për shembull, të shkojmë në një palestër ose në një klasë me drita të ndezura dhe muzikë të mirë. Lëvizja është lëvizje, kështu që çfarëdo lëvizje që të bën të ndihesh mirë, është lëvizje e duhur”, ka thënë ajo.
Ecja
Ecja u diskutua shumë nga të gjithë, ekspertët e shëndetësisë dhe influencuesit e rrjeteve sociale. Sipas studimeve shkencore, u vlerësua se sadopak të ecë dikush shkon në të mirë të organizmit të tij dhe njerëzit filluan ta praktikojnë ecjen në masë të madhe.
Pasi 2023-ta u cilësua si viti i ecjes, ajo mori njëlloj “ribrendimi” me stile si “12-3-30” dhe “hot girl walk”.
“Krejt çka kërkon stili i jetës ‘12-3-30’ është të keni prirje për të ecur. Sipas këtij stili, dikujt i duhet 12% përkushtim për të ecur me shpejtësi 3 milje në orë, për 30 minuta”, ka thënë Dr. James Watnuck, bashkëthemelues dhe shef mjekësor i “PlushCare”.
“Hot girl walk” është një tjetër stil që po konsiderohet si shumë i suksesshëm pasi nuk merr shumë kohë e përkushtim.
“Për disa njerëz fillestar ushtrimet e rënda mund të jenë të frikshme dhe ecja është një formë e lehtë e ushtrimit. Mund të fillohet kurdo dhe është krejtësisht falas”, ka thënë krijuesja e këtij stili, Mia Lind.
Konsumimi i gjizës
Konsumimi i gjizës, është bërë temë diskutimi në rrjetin social “TikTok”, pasi influencuesit e fushës së gatimeve e përdorën në shumë receta.
Ekspertët e kanë vlerësuar lart produktin e pasur me shumë proteina dhe rekomandojnë që ai të përfshihet në receta edhe përgjatë vitit 2024.
“Gjiza është favoriti për mendimin tim. Shumë njerëz nuk e kanë vlerësuar teksturën e saj, por megjithatë, gjiza është një burim i shkëlqyer proteinash, është e shumëllojshme dhe mund të përdoret në shumë specialitete. Vetëm një gjysmë filxhani gjizë me pak yndyrë ka rreth 80 kalori dhe 14 gramë proteina”, ka thënë Amanda Holtzer, një dietologe e regjistruar me seli në New Jersey.
Trendët që nuk duhet ndjekur
Mediat sociale s’duhet të përdoren për këshilla për terapi mendore
Marrja e këshillave online për të trajtuar me anë të ilaçeve çështjet e ndryshme të problemeve mendore është bërë zakon, dhe ekspertët po e konsiderojnë metodë të gabuar.
“Shëndeti mendor është një gjë e madhe dhe shumë njerëz po u drejtohen psikologëve online për këshilla se si të menaxhojnë shëndetin e tyre mendor. Kjo është e rrezikshme dhe gjithashtu joefektive. Për të marrë vërtet ndihmën që ju nevojitet, duhet të gjeni një profesionist të besuar dhe të trajnuar për t’ju ndihmuar”, ka thënë doktori Watnuck.
Nuk duhet të vetëdiagnostikoheni
Edhe vetëdiagnostikimi kohët e fundit është bërë një lloj stili i jetës, duke u mbështetur në informata të çfarëdollojshme online.
Këtë stil jetese doktorët gjithashtu po e konsiderojnë të gabueshëm dhe po bëjnë thirrje që të mos e ndjekë askush.
“Kjo i kthen diagnozat e shëndetit mendor në shaka, e cila mund t’i dekurajojë njerëzit të kërkojnë ndihmë klinike. Kjo ndodh nëse dikush është duke parë një video online që përcjell mesazhin e përsëritur se diagnozat e shëndetit mendor janë në dispozicion kudo. Përdorimi i humorit për të diskutuar mbi shëndetin mendor mund të jetë i dobishëm në kontekste të tjera në rrjetet sociale. Por, ka një vijë të theksuar në mes të përdorimit të humorit për të bërë psikoedukim dhe duke përdorur humorin mund të bëjë dikë të heqë dorë nga sëmundja e tyre mendor”, ka thënë neuropsikiatri Benjamin Goldman.
Nuk duhet ndjekur rrugët e shkurtra për të humbur peshë
Informimi i pasaktë ka vërshuar mediat sociale. Këtë vit ekspertët kanë parë rritje të keqinformimit rreth çështjeve të humbjes së peshës, si për shembull marrja e ilaçeve që përdoren për diabet, si Ozempic-u.
“Çdo gjë, që nga ‘Ozempicu natyral’ që njihet si metodë barbare, një shtesë e paefektshme dhe potencialisht e rrezikshme, e deri tek efektet anësore frikësuese. Për informacion të besuar dhe ndoshta për të marrë një recetë për këto ilaçe, kërkoni këshillën e një mjeku dhe mos u besoni atyre që shihni në TikTok”, ka thënë dokori Watnuck.