Gjatë udhës për në pushtet, mandej në pushtet, VV ka krijuar tri kushte – gjendje të domosdoshme për zhvillimin e diçkaje, për “të tjerët”, që lehtë e pa u vërejtur, lirinë (në kuptimin e gjerë të fjalës) do të mund ta përdorin si vegël e jo qëllim.
Kushti i parë: duke flirtuar me elemente religjioze për kalkulime elektorale, ka ngjallur ambicien e fjetur politike të disa mësuesve fetarë, që as dreqi s’e di çka dojnë, por pushtetin kanë qëllim.
Kushti i dytë: me radikalizmin e gjuhës publike, vetëm sa e ka ndërtuar habitatin e përçudnuar të kollajllakut për shpërndarjen e etiketave, të ra e s’të ra taman, pa pasur nevojën e arsyetimit. Një lloj dëbimi të arsyes nga diskutimet. Po ashtu, kusht i rëndësishëm për grupe të ardhme radikale.
Kushti i tretë: ka krijuar klimën e mosmirënjohjes kur flasin për NATO-n dhe Amerikën, me idetë abstrakte (po i kursejmë e s’po i quajmë komplet banale) të së drejtës historike si të vetëmjaftueshme për realizimin e shtetit. E ne e dimë se si ideja e historisë shpesh ndërrohet me idenë e Zotit.
Shto këtu edhe disa faktorë psikologjikë: lojën në emër të “progresit radikal”, që është investuar në krijimin e asimetrisë në mes të ambicies dhe potencialit të shoqnisë tonë, duke ndërtuar “gjendje” iluzive të rëndësive të paqena, rezultati do të jetë katastrofal.
Sepse, çmagjepsja do ta lërë prapa “epokën e zbrazëtisë” që më së lehti mund ta mbushë një organizim i islamit politik, që ambicie ka fitoren në zgjedhje dhe marrjen e pushtetit në emër të Zotit për POPULLIN.
Keni parasysh: tokën e pëlleshme që kemi për “inxhiniering identitar”. Varësisht prej nevoje ose budallakie, kemi ndërtuar karaktere nëpër histori.
Prej shamive, në Prishtinën e pasluftës së dytë botërore, që e kanë dominuar shehrin, në një sabah kemi kaluar në sheshira republika.
Po ashtu, siç thotë një shok, kemi rënë të flejmë komunista e jemi çuar liberalë. Në hark kohor më pak se 50 vjet, kemi dëshmi që mund të bëjmë këso sallta “paradigmatike”.
Ndoshta edhe nuk ndodh kjo çka po e problematizoj. Ndoshta, veç i kalojmë përskaj këtij rreziku, por kushtet, VV e z.Kurti, ua ka mbaruar.