Pas vendimit të Bashkimit Evropian për të lejuar lëvizjen e lirë të mbajtësve të pasaportave të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetarët serbë të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës.
Ajo ka thënë se ky vendim i BE-së është një “debakël politik dhe diplomatik” për Qeverinë Kurti, duke akuzuar qeverinë për sjellje “infantile dhe aventureske” që sipas saj, kanë dështuar në përfaqësimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Pra, pasaportat e lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë paskan marrë sot vulë legjitimiteti nga B.E. Çfarë debakli politik dhe diplomatik për Qeverinë Kurti. Ja ku e sollën Kosovën sjelljet infantile dhe aventureske të kësaj kaste udhëheqëse”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj me vendimin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetarët serbë të Kosovës.
Në një reagim zyrtar dërguar Dukagjinit, Qeveria ka theksuar se ky vendim shkel integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Qeveria gjithashtu e ka konsideruar të ngutshëm marrjen e këtij vendimi pa vërtetuar faktet në terren dhe pa konsultuar institucionet kosovare.