Hap të gabuar e të dëmshëm e ka cilësuar anëtarja e PDK-së, Vlora Çitaku, emërimin e Ardita Sinanit si këshilltare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Çitaku ka thënë se nuk ka asgjë personale me Ardita Sinanin, madje sipas saj edhe e ka mbështetur publikisht pasi ishte shkarkuar nga detyra e kryetares së Komunës së Preshevës. Por sipas Çitakut, ajo nuk do të duhej të emërohej në këtë pozitë për shkak se ajo nuk është apartiake.
“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani (e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë), mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës është, jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm”, ka thënë ajo.
“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e Luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin, do të emëronte dikë apartiak”, ka vijuar Çitaku.
Sipas Çitakut, Sinani do të duhej të paktën formalisht të jepte dorëheqje nga partia e saj në Preshevë.
“Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”, ka deklaruar ajo.
Në fund, anëtarja e PDK-së ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata”.
Çitaku, po ashtu, ia ka përmendur Kurtit ndërhyrjet e tij në skenën politike në Shqipëri e Maqedoni, të cilat sipas saj krijojnë vetëm përçarje.
Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se e ka emëruar Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sipas të parit të Qeverisë, ky emërim është bërë për ta përmirësuar gjendjen e shqiptarëve dhe avancimin e tyre në këto komuna.
Kurti ka premtuar se do ta themelojë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.